"Play-off" më ndryshe këtë edicion

  • 16 October 2017 - 09:11

Dikur ishte katërshja e madhe, por këtë edicion nuk është më. Kriza që ka kapluar Pejën dhe Trepçën pritet të ndikojë jo vetëm në cilësi dhe shikueshmëri, por edhe në renditjen përfundimtare. Ky do të jetë rast shumë i mirë për skuadrat tjera që të jenë pjesë e garave shtesë për herë të parë. Sigal Prishtina e ka filluar furishëm ashtu siç është pritur me tri fitore në tri takimet e para. Skuadra prishtinase nuk ka konkurrencë këtë edicion, kurse edhe Bashkimi pritet të jetë pjesë e përfundimtareve.

'Lufta' mes pesë skuadrave

Edhe pse është vetëm fillimi i garave në bazë të ekipeve dhe paraqitjeve të skuadrave, katërshja e madhe pritet të 'prishet' dhe mos të jetë në "Playoff", siç jemi mësuar ta shohim. Njohësi i basketbollit vendor, Valentin Spaqi ka përmendur pesë ekipe që mund të hynë në garat përfundimtare, duke mos përmendur Pejën dhe Trepçën. "Është ende herët për të treguar se kush do të jenë pretendentët për katërshen përfundimtare të garave të rregullta. Por, unë mendoj se do të luftojnë pesë skuadra. Sigal Prishtina, Bashkimi, Golden Eagle Ylli, Kerasan Prishtina dhe Rahoveci janë skuadrat konkurrente, duke marrë parasysh formën e deritanishme edhe pse jemi vetëm në fillim të kampionatit", është shprehur Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Skuadra e Sigal Prishtinës pritet të përqendrohet më shumë në garat ndërkombëtare, duke marrë parasysh se cilësia në garat vendore është shumë e dobët, ku deri më tani ka shënuar tri fitore, ndaj Bashkimit, Pejës dhe Kerasan Prishtinës, për të dëshmuar se nuk ka konkurrencë në këtë edicion. Bardhekaltrit do të marrin pjesë në grupet e FIBA Europe Cup, kurse u eliminuan në fazën e parë të kualifikimeve në Ligën e Kampionëve. Ky do të një rast i mirë edhe për Bashkimin të arrijë suksese në Ligën Ballkanike, pasi në dy edicionet e kaluara, nuk ka qenë shumë i suksesshëm.

E nisën me tri humbje

Por, cila mund të jetë skuadra që mund të mbyllë e fundit renditjen për këtë edicion? "Skuadra e fundit mund të jetë Borea, edhe pse nuk kam shumë njohuri për këtë skuadër", ka shtuar tutje Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Kjo skuadër ka pësuar tri humbje në tri ndeshjet e para të kampionatit. Por, skuadra që ka befasuar për të keq në këtë kampionat është Trepça, ku mitrovicasit kanë pësuar tri humbje, duke u mposhtur nga Peja, Kerasan Prishtina dhe së fundi nga Golden Eagle Ylli. Kjo tregon më së miri për krizën në të cilën gjendet skuadra mitrovicase. Basketbollisti i kësaj skuadre, Valdrin Haxhiu, ka thënë se pikërisht për shkak të kësaj gjendjeje nuk mund të flitet për synime. "Jemi në një gjendje shumë të vështirë. Nuk mbahet mend kjo gjendje në skuadrën tonë. Na kanë mbetur borxh nga edicioni i kaluar dhe nga vitet e kaluara. Në këto momente nuk mund të flitet për synime, duke parë gjendjen shumë të vështirë në klubin tonë. Gjendja është katastrofale", ka deklaruar Valdrin Haxhiu për gazetën "Kosova Sot". 'Xehetarët' nuk kanë bërë asnjë përforcim dhe po luajnë me basketbollistë tërësisht të rinj, vetëm që të mos tërhiqen nga garat. Edhe Peja gjithashtu nuk ka bërë asnjë transferim për këtë edicion, duke mbetur prapa skuadrave tjera, edhe pse e kanë nisur mirë, me dy fitore e një humbje.

(Kosova Sot)