Të fortët po dalin në shesh

  • 17 October 2017 - 09:30
Të fortët po dalin në shesh

J emi vetëm në javën e 10-të të Vala Superligës së Kosovës në futboll, mirëpo shumë gjëra kanë nisur të kristalizohen dhe shumë objektiva veçse janë sqaruar. Ashtu siç ishte paralajmëruar, se sivjet do ta kemi një garë shumë të fortë në luftë për titull, ashtu edhe po del. Këtë më se miri e dëshmojnë edhe statistikat. Derisa viteve të kaluara shënoheshin shumë gola, këtë herë realizimet janë më të pakta pasi klubet janë shumë të përqendruara dhe po luftojnë për çdo pikë. Pas 10 ndeshjeve skuadra me sulmin më të mirë është Drita, e cila ka shënuar 14 gola, ndërsa pas saj është Trepça'89 e Llapi që kanë nga 13 gola, por që duhet pranuar që 10 ndeshje 13 gola nuk është statistikë që duhet vlerësuar shumë. Liria është skuadra më e fortë në fazën defensive, pasi në 10 ndeshje ka pranuar vetëm 4 gola, duke e mbajtur portën të paprekur në 7 ndeshje. Edhe Vëllaznimi e Prishtina mund të jenë të kënaqura me fazën mbrojtëse, pasi kanë vetëm nga 6 gola të pranuar, por Josa e Munishi nuk mund të jenë të kënaqur me sulmin pasi nuk po duken shumë efikas. Gjithsesi, tash kur janë luajtur 10 ndeshje është e qartë se cilat skuadra po e pretendojnë titullin e cilat ekzistencën.

Gjilani, skuadër e pathyeshme

Llapi është njëra nga skuadrat më të forta sivjet dhe jo rastësisht është lidere e tabelës dhe kjo e bën kandidat për titull. Mirëpo, njëra nga klubet që është treguar më stabile deri më tash padyshim është Gjilani. Pas 10 ndeshjeve skuadra e Arbnor Morinës nuk di për humbje dhe kjo i bën gjilanasit të cilësohen skuadër e pathyeshme dhe nëse arrin ta mbajë këtë nivel, atëherë gjasat për të përfunduar të parët janë shumë të mëdha. Lojën e Gjilanit e ka pëlqyer shumë edhe trajneri i Drenicës, Bekim Shotani, i cili me Drenicën vikendin që lamë pas u ndesh me këtë ekip. "Gjilanit i uroj sukses në vazhdim të garave, pasi vërtet po luan futboll shumë të bukur dhe kjo e bën një kandidat të fortë sivjet", ka thënë Shotani. Prishtina sivjet u duk skuadër me probleme, por dy ndeshjet e fundit sikur kanë dhënë sinjale se gjithçka ka rënë në binarë dhe se kryeqytetasit mund ta arrijnë sivjet atë që nuk e kanë bërë në 4 vjetët e fundit, titullin e kampionit. "Kemi marrë një trepikësh të radhës, por nëse nuk kemi kujdes në ndeshjet e radhës do të jemi prapë aty ku ishim më herët", ka thënë trajneri I Prishtinës, Mirel Josa, me synim për ta mbajtur skuadrën me këmbë në tokë. Një klub tjetër që po ua dridh këmbët ekipeve tjera është Drita, e cila ka një sulm të frikshëm dhe kjo me të drejtë e bën ekip potencial për titullin e kampionit. Mirëpo, e meta e Dritës tash për tash është se si mysafirë nuk po mund të fitojë dhe kjo e penalizon karshi ekipeve tjera. Ajo që tash për tash po befason është skuadra kampione, Trepça'89, e cila nuk po mund të sabilizohet duke treguar luhatje në rezultate. Fillimin nuk e kishte të mirë, pastaj u duk se po këndellet duke i fituar disa ndeshje radhazi, mirëpo humbja e fundit në fushën e vet ndaj Prishtinës sikur e ka zbehur Trepçën'89.

Vëllaznia e Flamurtari, për ekzistencë

Sa i përket luftës për mbijetesë, pa dyshim skuadra më e rrezikuar është Vllaznia e Pozhoranit. Ajo në 10 ndeshje ka shënuar vetëm një fitore dhe një barazim, duke i humbur plot 8 sosh, gjë kjo që e mban në pozitën e fundit në tabelë, me vetëm 4 pikë dhe shumë seriozisht ia rrezikon mbijetesën. Klubi ka reaguar duke e angazhuar trajnerin e mirënjohur kosovar, Bylbyl Sokoli, dhe mbetet të shihet se a do të arrijë ky strateg i madh t'i këndellë pozharanasit. Një skuadër që gjithashtu e rrezikon mbijetesën është edhe Flamurtari. Edhe pse klubi kuqezi deklarohet se është i qetë dhe e ka formulën sesi të shpë- tojë, gjërat në terren nuk po duken edhe aq shpresëdhënëse. Barazimi para një jave në fushën e vet dhe humbja këtë vikend ndaj Llapit e bën Flamurtarin kandidat potencial për t'u larguar nga liga. Sa u përket skuadrave që duken më të qeta dhe nuk kanë ambicie shumë të mëdha dhe se synimi i tyre është mesi i tabelës janë Vëllaznimi, Besa e Drenica, ekipe këto që fitojnë brenda, por jashtë po dështojnë.

(Kosova Sot)