Fillimi e fundi do të JENË INTERESANTË

  • 18 October 2017 - 09:54
Fillimi e fundi do të JENË INTERESANTË

ANALISTËT KËTË KAMPIONAT E CILËSOJNË INTERESANT DHE TË PAPARASHIKUAR

Ky kampionat do të jetë i paparashikuar

"Assesi nuk mendoj se në vazhdim do të zbehet rivaliteti, përkundrazi ka filluar të nxehet edhe më shumë me Prishtinën e Dritën, që u janë rikthyer rezultateve pozitive, dhe sigurisht edhe për pjesën e poshtme në vazhdim do të kemi ndryshime, sepse pikëdallimi është i vogël në mes ekipeve", ka thënë për "Kosova Sot" Genc Sermaxhaj

Shpërthimi i Prishtinës e Dritës dhe jostabiliteti i Trepçës'89 e Feronikelit sikur bëri të mendohet se lufta për titull në këtë start të kampionatit të kufizohet në dy ose tri skuadra, gjë e cila do ta zbehte maksimalisht garën. Megjithatë, kështu nuk mendon ish- futbollisti i njohur kosovar, Genc Sermaxhaj, i cili bazuar në performancën e skuadrave në këto 10 ndeshjet e zhvilluara sheh se ky kampionat sikur që është në këtë fillim interesant, ashtu do të jetë deri në fund. Gjithsesi, ajo që i brengos pak më shumë njohësit e futbollit është lufta për ekzistencë, ku këtë rivalitetin mund ta zbehin maksimalisht Vllaznia dhe Flamurtari, dy skuadra që deri tash nuk janë treguar rivale të mëdha dhe nëse qysh tash ato e humbasin garën për mbijetesë, atëherë gjërat në vazhdim do të thjeshtoheshin maksimalisht. Gjithsesi, edhe këtu sinjalet për një luftë të ashpër nuk mungojnë, pasi si Vllaznia ashtu edhe Flamurtari kanë angazhuar trajner të mirë të cilët në afatin e janarit pritet të sjellin përforcime, në mënyrë që t'i bëjnë skuadrat e tyre shumë më rivalizuese.

Përforcimet e mëdha

"Në këtë stinor, pjesa dërmuese e ekipeve janë përforcuar me futbollistë nga jashtë, por edhe me lojtarë cilësorë brenda kampionatit dhe këto përforcime kanë ardhur me rënien nga liga e ekipeve si Ferizaj, Trepça, KEK-u, Vushtrria etj, që e bëjnë kampionatin më të barabartë dhe natyrisht joshës e interesant", ka thënë Genc Sermaxhaj, duke thënë se ky kampionat sivjet dallon sa i përket luftës, si për titull ashtu edhe për ekzistencë. "Për dallim me vitet e fundit, që kishim shumë ekipe për kreun dhe për mbijetesën, tani gjërat sikur kanë ndryshuar dhe deri më tani kemi dy ekipe që ende nuk po këndellen edhe përkundër përforcimeve e ndryshimeve që i kanë bërë", ka vlerësuar për gazetën "Kosova Sot" Genc Sermaxhaj. 

Vllaznia e Flamurtari, më të rrezikuarat

"Është ende shumë herët të vlerë- sojmë se cila skuadër do të përfundojë e para apo e fundit, por në bazë të paraqitjeve që kanë bërë ekipet deri tani, me gjasë në fund do t'i kemi Vllazninë e Flamurtarin, që vërtet po kanë probleme me rezultate dhe mendoj se këto të dyja kanë gabuar në fillim të kampionatit me përforcime, si në lojtarë ashtu edhe me trajnerë", ka thënë për "Kosova Sot" ish-futbollisti gjilanas, i cili pret një konkurrencë shumë më të madhe në kreun e tabelës. "Për pjesën e kreut kemi konkurrencë më të madhe të ekipeve e që deri në fund do të jetë shumë interesant. Mendoj se niveli i ekipeve është afërsisht i ngjashëm dhe kjo nuk lejon shkëputjen e njërës apo tjetrës në tabelë. Assesi, nuk mendoj se është zbeh rivaliteti, përkundrazi ka filluar të nxehet edhe më shumë me Prishtinën e Dritën që u janë rikthyer rezultateve pozitive, dhe sigurisht edhe për pjesën e poshtme në vazhdim do të kemi ndryshime sepse pikë dallimi është i vogël në mes ekipeve", përfundoi Genc Sermaxhaj.

(Kosova Sot)