Kush po i tremb investitorët e huaj?

  • 20 October 2017 - 10:27
Kush po i tremb investitorët e huaj?

Vëllaznimi i Gjakovës ditën e djeshme sikur bëri bujë me një lajm se si skuadra kroate Hajduku i Splitit ka vendosur t'u dhurojë si donacion disa topa dhe fanella. Madje në disa raste kjo edhe u cilësua si dalje nga kriza financiare që e ka kapur këtë skuadër. Kjo vërtet është shumë e dhimbshme pasi tregon qartë sesa poshtë kemi rënë, ku një donacion (qoftë edhe 1 mijë euro) bëhet lajm, madje edhe i bujshëm. Kur jemi në vitin e dytë të pranimit në arenën ndërkombëtare, futbolli ynë vazhdon të mbetet atje ku ishte para shumë vjetësh, aspak joshës për investitorët e huaj e aq më keq edhe për menaxherët e futbollistëve, të cilët fare nuk po shprehin interes t'i afrohen futbollit tonë. Sipas ishgjyqtarit të mirënjohur kosovar, Nexhmedin Bunjaku, kjo çështje vërtet është për t'u trajtuar dhe se sipas tij pjesa më e madhe e fajit pse investitorët po tremben të bëhen pjesë e futbollit tonë bien mbi Federatën e Futbollit të Kosovës.

Brengos mosinteresimi i menaxherëve

"Edhe pse jemi në vitin e dytë nga pranimi në UEFA dhe FIFA, pothuajse asgjë apo fare pak ka ndryshime pozitive. Është brengosës interesimi i investitorëve të huaj, por edhe vendorë, sikurse është brengosës edhe interesimi i menaxherëve për talentet tanë. Por cili është faktori kyç për këtë mosinteresim? Për mendimin tim, përgjegjësia bie mbi FFK-në, e cila nuk po harton programe dhe strategji për joshjen e investitorëve dhe menaxherëve, nuk po krijon kushte dhe kontakte", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", ish-futbollisti i Dritës së Gjilanit, Nexhmedin Bunjaku. "Unë besoj edhe i tërë opinioni futbolldashës kemi menduar se tashmë pas pranimit dyert e federatave të shteteve të tjera për FFK-në janë të hapura dhe këtë do ta shfrytëzojnë krerët e FFK-së, së paku të marrin nga to përvoja të ndryshme, por pse jo edhe të kërkohet nga to ndihmë. Por, për fat të keq kjo nuk po ndodh, sepse prijësit e FFK-së më shumë janë të interesuar të mbajnë këtë gjendje si është (sepse vetëm nga kjo gjendje ata mund të përfitojnë për vete siç u dëshmua nga skandalet dhe trukimet e ndryshme) sesa të avancojnë futbollin e Kosovës e nga kjo gjendje të përfitojnë vetëm ata", ka thënë Bunjaku, i cili aktualisht jeton në Holandë, por me shumë interesim e përcjellë situatën në futbollin tonë.

Mungon bashkëpunimi me Federatat evropiane

Njëra nga çështjen që e brengos Bunjakun është edhe fakti që drejtuesit e FFK-së kanë pak bashkëpunime me Federatat Evropiane e kjo vërehet me vizitat që mungojnë. "Është e çuditshme që edhe pse gati dy vite pas pranimit, prijësit e FFK-së nuk e kanë vizituar ende asnjë Federatë të huaj apo instancë që bashkëpunon me investitorë, sponsorë, donatorë, marketing, drejtat televizive etj. Një gjë është e vërtetë se kjo garniturë udhëheqëse nuk ka aftësi dhe dije për të udhëhequr një federatë të një shteti, të sportit me masovik tek ne", ka thënë Bunjaku, i cili njihet si një kundërshtar i hapur i kësaj pune që bëhet në futbollin tonë. "Është dëshmuar që nga ardhja e kësaj garniture udhëheqëse në krye të FFK-së, lëre që zhvaten fondin (buxhetin) e Federatës, por mbajtën dhe po e mbajnë peng futbollin e Kosovës drejt avancimit, drejt botës përparimtare të futbollit. Pra,për situatën e krijuar në futbollin e Kosovës përgjegjësinë e mbajnë krerët e Federatës për politikat e tyre degraduese në një anë dhe pasurimi i tyre nga djersa e futbollistëve, trajnerëve dhe atyre pak donatorëve apo sponsorëve në anën tjetër. Nuk ka dhe nuk do të ketë avancim të futbollit të Kosovës me këtë garniturë udhëheqëse të FFK-së, ashtu siç nuk ka pas gjatë një dekade sa janë këta në pushtet. Pra, pa reforma të mirëfillta brenda Federatës nuk mund të shpresojmë në avancim dhe perspektivë", deklaroi për "Kosova Sot" Nexhmedin Bunjaku.

(Kosova Sot)