Marrin përforcime dhe nuk i paguajnë lojtarët

  • 23 October 2017 - 09:03
Marrin përforcime dhe nuk i paguajnë lojtarët

Njëra nga skuadrat më në krizë këtë edicion në Superligën e Kosovës në basketboll është Trepça. Skuadra mitrovicase assesi të këndellet dhe ka pësuar katër humbje në katër ndeshje të zhvilluara deri më tani, duke qenë skuadra e vetme pa fitore në elitën e basketbollit të Kosovës. 'Xehetarët' në vitet e fundit janë ballafaquar me shumë probleme, dhe me probleme po përballen edhe në këtë edicion.

S'ka harmoni në skuadër

Së fundi, mitrovicasit janë përforcuar me dy basketbollistë amerikanë, Julian Hyden dhe Mark Williams. Këto përforcime ishin të befasishme, duke marrë parasysh me krizën financiare që po përballen. Pikërisht për shkak të problemeve financiare janë larguar lojtarët kryesorë nga edicioni i kaluar, kurse lojtarët vendorë kanë pohuar se klubi ka borxhe ndaj tyre. Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi është shprehur se nuk mund të ketë harmoni në një skuadër, kur vendorët nuk paguhen, derisa marrin lojtarë të huaj. "Kjo s'do koment. Është pikërisht ajo që kemi thënë më herët. Duhet t'iu kushtohet rëndësi lojtarëve vendorë dhe jo atyre të huaj. Kur lojtarët e Trepçës janë larguar për shkaqe financiare, atëherë është absurde me i angazhuar lojtarët e huaj, në këtë rast dy. Dhe nuk mund të ketë atmosferë të mirë në këso situate dhe normal që mungon harmonia në skuadër", ka thënë Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Dy amerikanët janë përforcimet e vetme të skuadrës mitrovicase për këtë edicion, pasi nuk ishin përforcuar, as me lojtarë të huaj, dhe as me lojtarë vendorë, për shkak të problemeve financiare. Nga skuadra u larguan gjithashtu lojtarët që kishin bartur barrën me vite të tëra.

Fokusi të jetë te vendorët

Problemet financiare janë 'shfaqur' edhe në fushë, pasi është e vetmja skuadër që nuk ka shënuar asnjë fitore në Superligën e Kosovës në basketboll këtë edicion. Mitrovicasit në ndeshjen e fundit kanë pësuar nga Sigal Prishtina me rezultat të thellë 42:108. Kjo dëshmon më së miri për dallimin ndaj këtyre dy skuadrave dhe ambiciet e 'Xehetarëve'. "Trepça dhe skuadrat tjera duhet të fokusohen me lojtarë dhe trajnerë vendorë dhe të bëjnë një strategji të duhur për të ardhmen. Trepça i ka filluar stërvitjet më vonë dhe unë besoj se në vazhdim do të përmirësojë lojën dhe do të siguroj ekzistencën. Pasoja e këtyre katër humbjeve janë problemet me të cilat janë përballuar deri më tani", ka shtuar tutje Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Superliga e Kosovës në basketboll ka pësuar rënie në cilësi dhe shikueshmëri në këtë edicion, me Sigal Prishtinën që nuk po ka konkurrencë. Bardhekaltrit kanë fituar bindshëm të katër ndeshjet këtë edicion dhe nëse vazhdohet me këtë ritëm, atëherë nuk do të kenë problem të fitojnë titullin dhe Kupën, derisa janë përqendruar më shumë në garat ndërkombëtare, ku po marrin pjesë në grupet e FIBA Europe Cup.

(Kosova Sot)