Josa apo Shkëmbi, gjithçka ZBARDH DITA E SHTUNË

  • 02 November 2017 - 09:04
Josa apo Shkëmbi, gjithçka ZBARDH DITA E SHTUNË

P ërballja ndërmjet Lirisë e Prishtinës, gjithmonë ka zgjuar kërshëri të madhe tek adhuruesit e futbollit, pasi njihen për traditën në futbollin tonë, por edhe rivalitetin e madh që kanë. Megjithatë, këtë herë ballafaqimi i tyre ka një të veçantë tjetër, pasi përherë të parë në histori të tyre, nga një kënd krejt tjetër do të jenë kundër njeri-tjetrit Blendi Shkëmbi e Mirel Josa. Dikur Josa e Shkëmbi thyenin çdo tabu në Shqipëri, duke arritur rezultate që futbolli shqiptar deri në atë kohë nuk i njihte, dhe sigurisht zbarkimi i tyre në futbollin kosovar nuk kishte sesi të pritet ndryshe veçse me entuziazëm. Shkëmbi që po e udhëheq me shumë sukses, Lirinë do t'i kundërvihet të famshmit, Mirel Josa që tashmë duket se e ka vënë në binarë Prishtinën. Se a i ka lënë diçka pa i mësuar Josa, Shkëmbit që të mund ta përdorë të shtunën mbetet të shihet. Analistët sigurisht që e favorizojnë Josën për shkak të përvojës, megjithatë, loja që ka treguar Shkëmbi tek Liria sikur i ka mahnitur të gjithë njohësit këtu. Se kush do të festojë mbetet të shihet pas 90 minutave të zjarrtë që pritet të zhvillohet në stadiumin "Përparim Thaqi" në Prizren.

Ardhja e tyre solli risi

Ish- futbollisti i njohur Genc Sermaxhaj, i cili për shumë vjet derdhi djersë në fushat e futbollit në Kosovë, sot nga këndi i një analisti vlerëson punën që kanë bërë deri tash Blendi Shkëmbi e Mirel Josa në futbollin kosovar. Ai e pranon se ardhja e tyre ka sjellë risi dhe se futbolli ynë ka nevojë për emra të tillë që mund ta shtyjnë përpara nivelin e futbollit kosovar. "Këta dy trajnerë që erdhën nga Shqipëria, Mirel Josa dhe Blendi Shkëmbi, kanë sjellë me vete përvojën nga një kampionat me nivel me të lartë se tek ne. Të luash edhe në garat evropiane dhe të garosh në Vala Superligë, sigurisht se përparësitë janë më të mëdha", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Genc Sermaxhaj sipas të cilit ata vetëmsa e kanë pasuruar futbollin tonë. "Sigurisht që më ta është pasuruar Vala Superliga ku përveç përvojës që kanë, ata po punojnë profesionalisht dhe në mënyrë tjetër të punës nga trajnerët tanë", tha Sermaxhaj.

Loja e Lirisë, më e bukura

"Me aq sa kam arritur të dalloj, lojërat e kampionatit të sivjetmë të trajnerëve nga Shqipëria ndaj atyre kosovarë është se futbollistët e Lirisë dhe të Prishtinës janë duke u vendosur më mirë në fushë dhe taktikisht lëvizjet dhe bartjet nga faza e mbrojtjes në atë të sulmit janë më e shpejta nga çka i dallon me ekipet e tjera", ka thënë ish- futbollisti gjilanas për "Kosova Sot" ,i cili për një nuancë pëlqen lojën e prizrenasve. "Deri më tani trajneri Blendi Shkëmbi ka arritur të aplikojë një lojë ndër më të mirat, ani pse nuk ka arritur rezultatet e dëshiruara. Ai po aplikon një lojë të shpejtë e të sigurt me posedim të topit. Në mesin e tyre ka futbollistë me teknik të përsosur dhe po arrijnë të bëjnë shumë pasime deri tek krijimi i rasteve për shënim. Në anën tjetër, Mirel Josa ka marrë vonë klubin nën urdhrat e tij, por tani në ndeshjet e fundit edhe Prishtina iu është rikthyer rezultateve pozitive dhe me lojë të shpejtë e të sigurt po rrezikon më shumë portat kundërshtare", tha Sermaxhaj. "Sigurisht se të dy trajnerëve u duhet kohë që të perfeksionojnë lojën e tyre, por mendoj se Liria në këtë kampionat na ka mahnitur me paraqitje të mira, por jo edhe me rezultate. Mendoj se do të jetë ndeshje e mirë, interesante dhe do të kemi shumë taktizime gjatë lojës. Unë më shumë e favorizoj Lirinë sa i përket lojës, por Prishtina ka futbollistë cilë- sorë dhe ndeshja do të jetë tejet e paparashikueshme", ka thënë ishmesfushori i Prishtinës, sipas të cilit futbolli ynë ka nevojë për trajner nga jashtë, sepse edhe rivaliteti dhe cilësia në ligë do të rriten.

(Kosova Sot)