Zyrtare: Pensionohet Pirlo, kjo është letra lamtumirëse

  • 06 November 2017 - 17:12
Zyrtare: Pensionohet Pirlo, kjo është letra lamtumirëse

Mesfushori italian, Andrea Peirlo është pensionuar përfundimisht nga futbolli aktiv

Andrea Pirlo edhe zyrtarisht është pensionuar nga futbolli dhe ndeshja e mbrëmshme me New York Cityn ka qenë e fundit në karrierë.

Ai me anë të një letre në Twitter e ka konfirmuar pensionimin, pas një karriere shumë të suksesshme.

“Ndeshja e fundit në MLS. Kohës time në New York City i ka ardhur fundi. Do të doja të thosha disa fjalë. Dua të falënderojë të gjithë për mbështetjen që kanë treguar në këtë qytet të jashtëzakonshëm”, shkruan fillimisht Pirlo në Twitter.

“Faleminderit për mbështetjen fantastike, faleminderit stafit teknik, faleminderit të gjithë atyre që punuan mbrapa skenës, faleminderit bashkëlojtarë”.

“Jo vetëm aventurës time në NY i erdhi fundi, por edhe aventurës time në futboll si lojtar”, shkruan tutje ai.

“Për këtë arsye do të doja të shfrytëzoja rastin të falënderoja familjen dhe fëmijët e mijë për mbështetjen dhe dashurinë që gjithnjë më kanë dhënë, çdo skuadër që kam pasur nderin të luaj për të, çdo bashkëlojtari që kam pasur kënaqësinë të luaj pranë tij, të gjithë atyre njerëzve që e kanë bërë karrierën time kaq të pabesueshme”.

“Dhe e fundit por jo më e pa rëndësishmja, të gjithë tifozët anembanë botës që treguan gjithnjë përkrahje. Ju gjithmonë do të jeni në anën dhe zemrën time”, shkruan në fund italiani.

38-vjeçari gjatë karrierës së tij ka luajtur për skuadrat e mëdha italiane Inter, Milan dhe Juvents, si dhe Kombëtaren e Italisë, me të cilën e fitoi Kupën e Botës në vitin 2006. 

Image

(Kosova Sot)