Kush po i shkarkon trajnerët, futbollistët apo presidentët?

  • 08 November 2017 - 09:05
Kush po i shkarkon trajnerët, futbollistët apo presidentët?

Kampionati i Kosovës, interesant në të gjitha aspektet

"Ajo çka nuk po kënaq në Superligën e Kosovës është sjellja, karakteri dhe mentaliteti sportiv i futbollistëve, ku shumica prej tyre as që po i arsyetojnë pagat që po i marrin. Tani, pas pranimit ne UEFA dhe FIFA, futbollistët po e ndiejnë veten profesionistë dhe si duket janë rritur pak para kohe", ka thënë Nexhmedin Bunjaku

Duket që askund në botë më lehtë sesa në Kosovë nuk ndërrohen trajnerët, kjo më së miri dëshmohet me faktin kur jemi vetëm në javën e 14- të, ndërsa plot shtatë klube kanë ndërruar trajnerë, madje disa sosh edhe nga tre të tillë. Kjo tregon qartë për një joprofesionalizëm që zhvillohet këtu. Megjithatë, dilema më e madhe mbetet se kush po e shkakton këtë ndërrim kaq të shpeshtë të trajnerëve. Analistët fajësojnë klubet vetë trajnerët që pranojnë detyra pa e analizuar fare situatën, trajnerët arsyetohen se drejtuesit e klubeve janë joprofesionalë dhe pa kurrfarë kushtesh kërkojnë rezultate. Në anën tjetër klubet ankohen se disa trajnerët japin premtime të mëdha vetëm për ta marrë detyrën, derisa nuk janë të zotët për ta arritur atë dhe normal që shkarkohen. Gjithsesi, viktima më të mëdha të kësaj janë futbollistët, të cilët vuajnë kur ndërrohet trajneri, por ja që njohësi i mirë i futbollit, Nexhemdin Bunjaki, në një analizë futbollit kosovar, thotë se janë pikërisht futbollistët, fajtorët më të mëdhenj që ndërrohen trajnerët.

Prinë Trepça'89

Skuadra që më së shumti ka bërë ndryshime në shtabin teknik, gjatë këtij edicioni është kampioni aktual Trepça'89, e cila garat i nisi me trajnerin Zekerija Ramadanin, të cilin e shkarkoi qysh pas javës së katërt, për t'ia besuar skuadrën ndihmësit të tij, Sabit Osmani, i cili për 7 ndeshje e udhëhoqi skuadrën , madje drejtuesit e skuadrës "minatore", thanë se nuk kanë nevojë për trajnerë të ri, por pas dy disfatave radhazi, sidomos atë me Prishtinën, Trepça'89 angazhoi trajnerin e tretë, Gani Sejdiun, i cili ka një marrëveshje me "minatorët" deri në përfundim të këtij edicioni. Ndryshime në ekip kanë bërë edhe Prishtina, Flamurtari, Vllaznia, Drita, Feronikeli e Besa. Të vetmet skuadra që nuk kanë bërë ndryshime në shtabin teknik aktualisht janë: Gjilani, Llapi, Drenica, Liria e Vëllaznimi.

Bunjaku akuzon futbollistët

Për ish-gjyqtarin e mirënjohur kosovar, Nexhmedin Bunjaku, kësaj dukurie negative të trajnerëve duhet t'i bëhet një analizë e thuktë, pasi jo gjithmonë trajneri është fajtor. "Ndodh shpesh të shohim sesi një trajner që ka një start të keq pas disa xhirosh i kthehet rezultateve të mira, ndërsa ai që ka një start të mirë u kthehet për dy-tri ndeshje rezultateve të dobëta dhe kryesitë menjëherë reagojnë dhe e shkarkojnë, duke mos analizuar fare se çka ndikoi që nga rezultatet pozitive që i kishte po i njëjti trajner, të kthehen në rezultate të dobëta. Për këtë duhet një analizë e thellë, duke filluar që nga përgjegjësia, mentaliteti, karakteri dhe sjellja e futbollistëve, gjer tek ekonomati. Aq sa po duket në Superligën e Kosovës në futboll, trajnerët janë vetëm viktimë e futbollistëve, futbollistët janë ata që kanë përgjegjësinë më të madhe në fushën e gjelbër karshi shtabit teknik së bashku me fizioterapeutet, mjekun, trajnerin e fitnesit, psikologun etj. Udhëheqja teknike e klubit (drejtori sportiv, menaxheri teknik, skautët etj.) e gjer tek ekonomati, kështu që përgjegjësitë, pra janë zinxhirorë, për fat të keq tek ne e gjithë përgjegjësia bie vetëm mbi kryetrajnerin dhe shkarkohet brenda natës ku ne shumicën e rasteve nuk shkarkohen trajnerët ndihmës", ka thënë Bunjaku, duke aluduar se klubet para se të marrin një vendim te trajneri duhet të analizojnë mirë edhe sjelljen e futbollistëve. Pa marrë parasysh sjelljen e lojtarëve, në xhiron e 15-të , sipas të gjitha gjasave me trajner të ri do të hyjë Vllaniza e Pozhoranit, pasi trajneri aktual, Bylbyl Sokoli, sikur është dorëzuar nga objektivat e paraparë. 

(Kosova Sot)