Lampard thotë se është tepër herët të gjykohet Manchester City

  • 09 November 2017 - 18:33
Lampard thotë se është tepër herët të gjykohet Manchester City

Frank Lampard beson se Manchester City ende nuk mund të konsiderohet në mesin e ekipeve më të mëdha në histori të Premier Ligës, por thotë se e meriton absolutisht këtë status nëse ia del ta mbajë formën e tanishme deri në fund të sezonit.

City e ka shkatërruar çdo skuadër që i ka dalë në rrugë deri më tani, duke i fituar 10 nga 11 ndeshjet e para në Premier Ligë, formë që e rendit atë në pozitën e parë me tetë pikë më shumë se Manchester United në vendin e dytë.

City ka shënuar 38 gola në total në ligë, 15 më shumë se United dhe kështu cilësohet si favorit i madh për ta fituar titullin nën urdhrat e Pep Guardiolas.

Por, ish-lojtari i Chelsea, Lampard thotë se është herët të gjykohet dhe duhet pritur deri në fund të sezonit.

“Mendoj se është tepër herët të thuhet. Nëse ata vazhdojnë të luajnë kështu gjatë gjithë sezonit, atëherë natyrisht se do ta vënë veten në një pozitë të tillë. Ata i kanë fituar 10 ndeshje dhe kanë barazuar një herë në ligë. Nëse e mbajnë këtë ritëm, atëherë është diçka e jashtëzakonshme”, ka thënë ai. 

 (Kosova Sot)