Premtime sa të duash, por futbolli vazhdon të luhet në lloç

  • 05 December 2017 - 09:05
Premtime sa të duash, por futbolli vazhdon të luhet në lloç

JAVA E FUNDIT NË SUPERLIGË DËSHMOI QARTË SE NË ÇFARË KUSHTESH ZHVILLOHET FUTBOLLI YNË
 

E ardhmja e sportistëve shpresohet të jetë më e mirë

Institucionet vendore vazhdojnë të japin fjalë të mëdha për sportin dhe sportistët, duke iu premtuar kushte të jashtëzakonshme. Megjithatë, realiteti qëndron krejt ndryshe dhe futbolli vazhdon të luhet në lloç. Dje, Qeveria e vendit mori vendim për caktimin e lokacionin ku do të ndërtohet stadiumi kombëtar i futbollit, duke premtuar një objekt "përrallor", i cili do t'i plotësonte të gjitha kushtet për zhvillimi e një ndeshjeje ndërkombëtare. Megjithatë, ky institucion sikur "harroi" të flasë pak edhe për përfundimit e stinorit vjeshtor të elitës së futbollit kosovar, i cili u mbyll në mënyrën më të keqe të mundshme. Balta që i kishte mbuluar fushat e bënte të shëmtuar lojën e futbollit dhe sigurisht që dërgonte një imazh jashtëzakonisht të keq në arenën ndërkombëtare. Vëmendja e UEFA-s e FIFA-s tash pasi jemi pjesë e tyre, është më e madhe për të na vëzhguar, por me këto pamje ne assesi nuk jemi duke i bindur që meritojmë më shumë. "Po shpresoj se këta që po e udhëheqin shtetin të mbushën mend një ditë dhe ta ndihmojnë edhe sportin", ka thënë futbollisti prishtinas, Viktor Kuka i cili të dielën ishte pjesë e derbit më të madh në futbollit kosovar që u zhvillua ndërmjet Gjilanit e Dritës, por fusha e baltosur e shëmtoi këtë ndeshje të madhe. 

Kuka: Luajtëm në fushë patatesh

Ballafaqimet ndërmjet dy skuadrave gjilanase, Dritës e Gjilanit janë hijeshia e futbollit të Kosovës. Spektakli që bëjnë dy tifozëritë "Intelektualët" e Dritës dhe "Skifterët" e Gjilanit, bëjnë që shumë vende të tjera jashtë kufijve tanë t'i kenë lakmi. Mirëpo, në çfarë kushtesh u luajt ajo, duhet pranuar që askush nuk ja ka lakmi. "Ndeshja ku kemi luajtur kundër Gjilanit më shumë i ka ngjarë një fushe patatesh sesa një fushe futbolli. Shteti është dashur të mendojë shumë më herët për sportin të investojë në infrastrukturë, pasi sporti sjell përfitime të mëdha, por ja që ata e harruan krejtësisht sportin", ka thënë futbollisti i Dritës, Viktor Kuka, i cili duhet të jetë i lumtur që doli shëndosh e mirë nga ballafaqimi i së dielës, pasi vërtet lojtarët e kanë rrezikuar shumë seriozisht shëndetin. 

Lloç edhe në Drenas e në Pejë

Një ndeshje tjetër në kushte shumë të vështira është zhvilluar edhe në Drenas, ndërmjet Feronikelit e Prishtinës ku pas 90 minutave të luftuar fort, futbollistët nga fusha dolën të përbaltur dhe jo fitues, pasi ndeshja u mbyll pa gola. Shumë më keq ishte në Pejë, ku u ndeshën Besa e Vëllaznimi. Trajneri i Vëllaznimit, Ismet Munishi ka thënë se ishte për keqardhje t'i shohësh ata djem duke luftuar aq fort për ngjyrat e klubit në ato kushte dhe në fund të ndeshjes askush nuk u kujtua t'i shpërblejë me ndonjë premi modeste. Sido që të jetë, futbolli i Kosovës, përveç problemeve të mëdha financiare dhe organizative, duket se armikun kryesor e ka infrastrukturën dhe me këtë qasje të shtetit ndaj sportit kjo pasqyrë duket se do të mbetet e njëjtë edhe për shumë vjet të tjera. 

(Kosova Sot)