Misioni i (pa)mundur!

  • 06 December 2017 - 09:36
Misioni i (pa)mundur!

SIGAL PRISHTINA-DEMIR, E MËRKURË, ORA 19:30

Vëmendja te përballja tjetër, Khimik-Mons 

S kuadra e Sigal Prishtinës do të ketë një sfidë shumë të vështirë sonte, dhe më të vështirën në këtë edicion. Bardhekaltrit do të ndeshen me Demir-in në xhiron e fundit të FIBA Europe Cup. Kryeqytetasit do të mundohen që të kualifikohen edhe pse do të kenë shumë vështirë. Nëse Khimik e mposhtë Mons në përballjen tjetër të këtij grupi, atëherë Prishtinës i mjafton fitorja me çfarëdo rezultati, në të kundërt, duhet të fitojë me 28 pikë dallim ndaj skuadrës turke, që në Turqi kishte fituar me rezultat të thellë ndaj prishtinasve, 86:59. Të dy ndeshjet fillojnë nga ora 19:30, ku bardhekaltrit presin edhe përkrahjen e tifozëve. Demir është në pozitën e parë me katër fitore dhe një humbje, Mons dhe Prishtina kanë nga tri fitore dhe dy humbje, kurse Khimik ka pesë humbje në pesë ndeshje. 

Angazhim maksimal

Për Prishtinën nuk ishte pritur të ishte në këtë gjendje, pasi e nisi këtë garë me tri fitore radhazi, megjithatë, dy humbjet e mëvonshme iu kushtuan shumë dhe tashmë do të kenë shumë vështirë që të kualifikohen tutje. Basketbollisti i Prishtinës, Granit Rugova, është i vetëdijshëm se do të kenë shumë vështirë që të kualifikohen në rrethin tjetër. "Ne do të angazhohemi maksimalisht, si për fitore, ashtu edhe për t'u kualifikuar në xhiron tjetër. Do të jetë e vështirë, por do të kërkojmë fitoren dhe pastaj të shpresojmë që të fitojë Khimik, pasi do të jetë shumë e vështirë të fitojmë me 28 pikë dallim ndaj Demir-it. Ne nuk do të dorëzohemi dhe shpresojmë që të kemi përkrahjen edhe të tifozëve të bëjmë një paraqitje sa më të mirë në këtë ndeshje shumë të rëndësishme", ka thënë Granit Rugova për gazetën "Kosova Sot". Prishtina në ndeshjen e parë në udhëtim mundi Belfius Mons me rezultat 74:72, kurse më pas dy herë në kryeqytet skuadrën ukrainase, Khimik, 76:65 dhe 78:59. Prishtinasit më pas pësuan 86:59 nga Demir-i në Turqi dhe nga Mons 69:75 në Prishtinë, duke i minimizuar gjasat për kualifikim.

Nuk do të dorëzohen deri në fund

Kampionët e Kosovës ishin afër që të kualifikohen, pasi iu mjaftonte një fitore, ndaj Demir-it, përkatësisht Mons-it, por kjo nuk ndodhi, dhe tashmë janë zbehur gjasat dukshëm. Rugova thotë se kanë qenë edhe të pafat në këtë garë, pasi shumë lehtë kanë mundur të jenë në rrethin e ardhshëm. "Mendoj se kemi qenë edhe të pafat, dhe nuk e kemi merituar të jemi në këtë pozitë siç jemi tani. Kemi mundur të fitojmë ndaj Mons dhe të jemi në rrethin e ardhshëm, por nuk kemi pasur shumë fat në këtë garë, sepse kemi treguar ndeshje mjaft të mira në këtë edicion. E filluam edicionin me tri fitore radhazi, megjithatë, më pas nuk kemi pasur shumë fat, dhe tani do të jetë shumë vështirë që të kualifikohemi tutje, edhe pse nuk do të dorëzohemi deri në fund", theksoi ndër të tjera Granit Rugova për gazetën "Kosova Sot". Ky ishte edicioni i tretë i prishtinasve në këtë garë. Bardhekaltrit hoqën dorë nga Liga Ballkanike, duke marrë pjesë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, por u eliminuan që në rrethin e parë. 

(Kosova Sot)