Europa League, Skënderbeu shkon pa sulmues në Bern shkaku i vizës

  • 06 December 2017 - 20:49
Europa League, Skënderbeu shkon pa sulmues në Bern shkaku i vizës

Një ditë përpara ndeshjeve të fundit të fazës së grupeve të Europa League, Skënderbeu ka udhëtuar drejt Bernit, ku do të ndeshet me Young Boys, por me një problem jo pak të vogël sa i përket formacionit.

Pas dëmtimit të sulmuesit Ali Sowe, duket se trajneri Ilir Daja nuk mund t’i besojë në repartin ofensiv as sulmuesit nigerian James Adeniyi, i cili për fat të keq nuk është pajisur në kohë me vizë dhe nuk ka udhëtuar me pjesën tjetër të ekipit drejt Zvicrës. 

Edhe pse drejtuesit e klubit korçar bënë gjithçka të mundshme që James të pajisej me vizë, nigeriani ka ngelur përfundimisht jashtë grumbullimit për këtë ndeshje.

Një dhimbje koke më shumë për trajnerin Daja, i cili duket se është i detyruar të marrë masa për formacionin, me të cilin do të zbresin në fushë korçarët mbrëmjen e së enjtes në orën 19:00. James ishte titullar në qendër të sulmit gjatë fitores 2-1 të Skënderbeut përballë Kukësit, në fundjavë, duke shënuar edhe golin e fitores.

Nga raportimet më të fundit nga kampi korçar, Skënderbeu mund të zbresë në fushë me këtë  formacion: Shehi në portë; Vangjeli, Jashanica, Aliti dhe Mici në mbrojtje; Lilaj përpara mbrojtjes, ndërsa reparti i mesfushës do të plotësohet nga Gavazaj, Muzaka, Nimaga dhe Sahiti; kurse i vetëm në sulm do të luajë njëri prej Demte dhe Gripshit. 

(Kosova Sot)