Bashkimi po 'ringjallet

  • 07 December 2017 - 08:35
Bashkimi po 'ringjallet

PRIZRENASIT NGJITEN NË VENDIN E PESTË NË BIBL

Dy ndeshje për tri ditë në Ligën Ballkanike

Skuadra e Bashkimit mundi Akademik Bultex 99 në Ligën Ballkanike, derisa nesër e pret Rilski-n në një tjetër ndeshje shumë të vështirë. Pas fillimit jo të mirë në këtë garë, tashmë prizrenasit janë ngritur në renditje dhe kanë synime të qarta. Trajneri Fotios Takianos është shprehur shumë i kënaqur me angazhimin e basketbollistëve të tij në ndeshjen e fundit në BIBL

Bashkimi nuk e nisi aspak mirë edicionin në Ligën Ballkanike, ku ka synime të mëdha në këtë edicion. Por, pas dy humbjeve të para, prizrenasit kanë dy fitore dhe janë ngjitur në vendin e pestë në renditje. Fitorja e fundit ishte ndaj Akademik Bultex 99 me rezultat 87:78 në Prizren. Dy ekipet luftuan deri në fund, por fitorja i takoi vendasve. Portokallinjtë nuk kanë kohë për të pushuar, pasi nesër e presin Rilski-n, që ka katër fitore në katër ndeshje dhe do të jetë një ballafaqim shumë i vështirë për prizrenasit. Megjithatë, synimet e tyre janë të qarta dhe dëshirojnë të arrijnë sa më larg në këtë garë. Ky është edicioni i tretë që marrin pjesë në këtë garë.

Lojtarët kanë dhënë maksimumin nga vetja 

Takimi ndërmjet Bashkimit dhe Akademik Bultex 99 ka qenë shumë interesant, derisa dallimi u bë në çerekun e dytë (19:10), duke i siguruar fitoren e dytë prizrenasve në këtë garë për këtë edicion. Trajneri grek i Bashkimit, Fotios Takianos, ka lavdëruar paraqitjen e basketbollistëve në këtë përballje shumë të vështirë."Fillimisht dua të uroj skuadrën kundërshtare. Ne e kemi ditur se ata kanë një ekip të mirë dhe kanë treguar paraqitje të mira në Ligën Ballkanike këtë edicion. Megjithatë, dua të falënderoj edhe lojtarët tanë, pasi kjo ishte ndeshja jonë e parë pas një pushimi të gjatë, ku kemi pasur probleme për të punuar. Ne kemi pasur lojtarë të lënduar dhe nuk kanë stërvitur gjatë kësaj periudhe. Nuk e dija se në çfarë forme do të ishin, megjithatë, e kemi parë se ata ishin në gjendje për të luajtur në mënyrë agresive, sidomos në mbrojtje, dhe kanë treguar se duan që të fitojnë ndeshjen. Kjo është shumë e rëndë- sishme", ka thënë Fotios Takianos pas fitores së fundit, që u zhvillua të martën, transmeton faqja zyrtare e Ligës Ballkanike. 

Edhe më vështirë ndaj Rilski-t

Trajneri i Bashkimit ka theksuar se mbrojtja e fortë solli suksesin e fundit. "Lojtarët kanë luftuar për çdo top, ata kanë luftuar sidomos në mbrojtje, andaj ishte një paraqitje e madhe kundër një skuadre mjaft të mirë. Kjo fitore na jep më shumë besim dhe motivim për ndeshjet e ardhshme. Është e qartë se nuk kemi luajtur në mënyrë perfekte për 40 minuta, por kjo pasi nuk kemi stërvitur siç duhet. Ne duhet të mbajmë këtë agresivitet dhe besim, si dhe të punojmë shumë për t'u përmirësuar", ka shtuar Fotios Takianos. Të enjten, Bashkimin, e pret edhe një ndeshje më e vështirë, ku do të ballafaqohet me Rilski Sportist, që ka katër fitore në katër ndeshje të zhvilluara këtë edicion në Ligën Ballkanike."Ne i dimë cilësitë e Rilski-t. Mendoj se dy ndeshjet e fundit na kanë dhënë besim për një ndeshje edhe më të vështirë. Ne do të përgatitemi maksimalisht për këtë ndeshje. Ne do të mundohemi në luajmë në mënyrë agresive, dhe të bëjmë një paraqitje sa më të mirë", shtoi trajneri i Bashkimit, Fotios Takianos. Ndeshja ndërmjet Bashkimit dhe Rilski-t zhvillohet sonte (e enjte) në "Sezai Surroi" nga ora 19:30. Bashkimi ndodhet në vendin e pestë me dy fitore dhe dy humbje, kurse rezultatet e Kumanovës janë çregjistruar nga kjo garë pas tërheqjes. Prej shtatë skuadrave, gjashtë kualifikohen tutje. 

(Kosova Sot)