Dybala: E kam ëndërr të fëmijërisë ta fitoj Topin e Artë

  • 07 December 2017 - 16:17
Dybala: E kam ëndërr të fëmijërisë ta fitoj Topin e Artë

Sulmuesi i Juventusit, Paulo Dybala, shpreson që një ditë ta përmbushë ëndrrën e fëmijërisë dhe ta fitojë Topin e Artë.

Argjentinasi 24-vjeçar është ndër talentët më të mirë në futbollin evropian dhe tani për synim ka ta pushtojë futbollin botëror.

Pasi kaloi nga Palermo në Juventus në vitin 2015, sulmuesi shumë i vlerësuar e ka dëshmuar veten në Serie A dhe Ligë të Kampionëve, si dhe është thirrur edhe nga Kombëtarja e Argjentinës.

Dybala ka thënë për Vanity Fair se ta fitojë Topin e Artë e ka pasur ambicie qysh si i ri: “Verës uleshim pranë zjarrit dhe u thosha shokëve se ta fitoja Topin e Artë ishte ajo që doja”.

Ai ka shtuar: “Nëse e fitoj, do t’ua dërgoj një mesazh shumë fëmijëve; të gjithë atyre të lindur si unë në një fshat të vogël e larg qyteteve metropolitane, që mund të shpresojnë se një ditë do të jenë në gjendje ta tregojnë një histori të ngjashme me timen. Kur kemi topin në këmbë, jemi të lumtur, por ajo çka ndodh prapa skenës nuk është gjithmonë e bukur. Kur e arrin nivelin në të cilin jam unë, shpesh herë ndihesh si njeri i vetmuar”.

(Kosova Sot)