“Mos u mërzit shoku, kam shumë hapësirë për çmime – vitin e ardhshëm veproni njëjtë”

  • 28 December 2017 - 21:31
“Mos u mërzit shoku, kam shumë hapësirë për çmime – vitin e ardhshëm veproni njëjtë”

Ronaldo është shpallur më i miri në botë për vitin 2017 nga “Globe Soccer Awards”. Ai është i etur për të fituar më shumë trofe në vitin 2018, pasi kërkoi nga ata që e votuan këtë vit që ta votojnë sërish vitin e ardhshëm.

Viti 2017 rezervoi një fund fantastik për Cristiano Ronaldon që u nderua edhe si lojtari më i mirë i vitit që po lëmë pas në ceremoninë e “Globe Soccer Awards” në Dubai, pak kohë pasi fitoi “The Best” nga FIFA dhe Topin e Artë nga France Footbal.

Portugezi mposhti; Sergio Ramos (Real Madrid), Leo Messi (FC Barcelona), Gianluigi Buffon dhe Paulo Dybala (Juventus) e Neymar Jr. dhe Kylian Mbappé (Paris Saint-Germain) në garën për më të mirin e vitit që po lëmë pas.

CR7 nuk ishte i pranishëm në Dubai, por live nga Madridi mori çmimin të cilin ia dhuroi legjenda e Italisë dhe Juventusit, Alessandro Del Piero.

Ronaldo u pyet nga moderatori se si arrin t’i gjejë hapësirë gjithë këtyre çmimeve individuale, ndërsa përgjigjja e portugezit ishte gjeniale: “Mos u mërzit shoku, kam shumë hapësirë për çmime”.

Duke falënderuar Zidanin, shokët dhe Realin, Ronaldo në lidhjen direkët nga Madridi kërkoi nga ata që e votuan për të marrë këtë çmim të bëjnë të njëjtën gjë edhe vitin e ardhshëm.

“Për mua është moment shumë special, jam shumë i lumtur për këtë çmim. Faleminderit shokëve, trajnerit, Real Madridit. Ishte një vit i jashtëzakonshëm ku fituam shumë trofe. Faleminderit atyre që më votuan, vitin e ardhshëm bëjeni të njëjtën gjë”, deklaroi Ronaldo.

(Kosova Sot)