Kapiteni i Kupave

  • 29 December 2017 - 09:08
Kapiteni i Kupave

Ka aq shumë trofe në karrierën saqë e ka vështirë t'i numërojë të gjitha. Muskujt e kapitenit të Prishtinës, Edmond Azemit, janë forcuar duke ngritur trofe. Azemi shprehet se ka më shumë se 30 trofe në karrierën e tij, duke përfshirë 13 herë titullin në Kosovën, 15 Kupa, disa Superkupa, dy herë Ligën Ballkanike, derisa ka qenë edhe kampion në Islandë. Edo ka qenë besnik ndaj Prishtinës me vite të tëra, derisa mbetet idhull i tifozëve 'Plisat', të cilët i ka në zemër. Kapeni i prishtinasve gjithashtu ka përvojë me Përfaqësueset, duke luajtur për tri kombëtare të ndryshme, fillimisht me Kroacinë, pastaj me Shqipërinë dhe në fund me Kosovën.

Çdo trofe i rëndësishëm

Azemi shprehet se çdo trofe është i rëndësishëm dhe ka punuar shumë për të fituar. "Sigurisht se çdo trofe është i rëndësishëm. Kam fituar shumë trofe në karrierën time. Kam fituar 13 herë titullin, 15 herë Kupën, disa Superkupa, dy herë Ligën Ballkanike, si dhe kam qenë kampion në Islandë. Çdo edicion është i veçantë. Ka shumë përgatitje, ndeshje, dhe në fund normalisht se dëshiron të shpërblehesh me trofe. Fatmirësisht kam arritur të fitojë shumë trofe", ka thënë fillimisht Edmond Azemi për gazetën "Kosova Sot". Por, për të është një trofe i veçantë. "Ka qenë në edicionin 2002-2003 kur kam shënuar tri pikë në sekondat e fundit dhe kemi fituar titullin. Ka qenë ndeshja e fundit e edicionit dhe fituam titullin. Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme që ka mbetur në kujtesën time, por secili trofe ka rëndësinë e tij", ka theksuar numri 4 i Prishtinës. Për dallim prej shumë lojtarëve tjerë, ai i mbetet besnik skuadrës bardhekaltër, derisa një nga arsyet ishin 'Plisat'. "Unë e dua sportin. Nuk kam luajtur për para. Për këtë arsye kam qëndruar gjatë në Prishtinë, përkundër shumë ofertave që kam pasur në karrierën time. 'Plisat' janë shumë të veçantë për mua. Ata më kanë përkrahur gjithmonë dhe janë një nga arsyet që kam qëndruar për shumë vjet te Prishtina dhe nuk kam menduar të largohem asnjëherë", nënvizoi tutje basketbollisti bardhekaltër. Por, ka mbetur diçka që nuk e ka realizuar në karrierën e tij. "Ka qenë humbja e titullit ndaj Trepçës. Ishte ndeshja e pestë dhe ishim vendas. Normalisht dëshpërimi ishte i madh".

Përvojat me Kombëtaret

Edo njihet si një sportist i jashtëzakonshëm, ku 'jeta e natës' nuk ishte në programin e tij. "Kjo është një nga arsyet kryesore, që kam qenë i sukseseshëm. Nuk kam qenë i interesuar për jetën e natës. Për këtë arsye kam arritur të luaj deri më tani, përkundër se ka pasur shumë lojtarë të ndryshëm në ekip, dhe si kundërshtarë. Edhe tani kur i bëj testet mjekësore, dal më i miri, pasi i kam kushtuar shumë rëndësi formës dhe nuk jam marr me gjëra të tjera", theksoi Azemi. Ai ka përvojë të gjatë ndërkombëtare, duke luajtur për Kosovën, Shqipërinë dhe Kroacinë. "Përvoja me Kroacinë ka qenë e mrekullueshme. Ishte viti 2005 kur kemi marrë pjesë në një turne, madje duke luajtur edhe kundër Yao Ming të Kinës. Organizimi ishte fantastik dhe do të mbetet gjatë në kujtimet e mia. Pastaj ishte edhe periudha te Shqipëria, ku gjithashtu kam pasur momente të mira, pasi na kanë pritur shumë mirë. Me ndeshjet ndaj Kosovës është kompletuar karriera ime ndërkombëtare me Përfaqësuese. Kam dhënë maksimumin për çdo minutë. Ishte e mrekullueshme të luash pas pranimit. Largimi nga Përfaqësuesja nuk ishte e lehtë, por e kam bërë për arsye familjare, dhe i kam mbështetur edhe nga afër. Madje, kur isha në palestër, mendoja se do të luaja. Ishte një ndjenjë tjetër të mos luash", u shpreh basketbollisti i cili ka luajtur edhe në Maqedoni. Ai është 37-vjeçar, por pensionimin nuk e mendon. "Nuk e di se kur do të ndodh. Jam në formë shumë të mirë dhe nuk e di se kur do të pensionohem", përfundoi Edmond Azemi.

(Kosova Sot)