Fitojnë kampionët, mposhten nënkampionët

  • 29 December 2017 - 09:34
Fitojnë kampionët, mposhten nënkampionët

Oklahoma u konfirmua si skuadra e momentit në NBA. City Thunder koleksionuan fitoren gjashtë radhazi për meritë të tre yjeve të tyre. 81 pikë realizoi në total treshja e ëndrrave Westbrook-George-Anthony me Oklahoma-n që në “Chesapeake Energy Arena” mposhti lehtësisht Toronto Raptors 124:107. Për një natë rolin e liderit te City Thunder e mori Paul George i cili rezultoi shënuesi më i mirë sfidës me 33 pikë duke udhëhequr Oklahoma-n drejt suksesit të 20-të sezonal. Për t’u përmendur edhe paraqitja e Rusell Westbrook, i cili shkëlqeu në çdo aspekt të lojës, pasi koleksionoi në total 30 pikë, ndërsa i ndihmoi të tijtë edhe me tetë asistim dhe 13 kërcime.

Mst/ Curry, ende larg parketeve

Gjithçka e lehtë për kampionët në fuqi të Golden State Warriors. Në “Oracle Arena”, skuadra e Steve Kerr mposhti me rezultatin e thellë 126:101 Utah Jazz. Warriors u treguan edhe njëherë tjetër të gjithë skeptikëve se mungesa e Stephen Curry-t të dëmtuar nuk ndihet aspak në skuadër, ndërsa Golden State konfirmoi se ka një grup fantastik lojtarësh, pasi edhe në një ndeshje kur Durant e Thompson nuk shfaqen në super formë pasi të dy së bashku realizuan në total 36 pikë, skuadra nga Oakland shkëlqeu mbi parket. Ndryshe nga Oklahoma dhe Golden State zhgënjeu Cleveland Cavaliers që u mposht në Kaliforni nga Sacramento Kings me rezultatin 109:95 duke pësuar humbjen e 11-të sezonale. Kevin Love dhe LeBron James nuk ishin në formën e tyre më të mirë dhe në mungesë edhe të Isaiah Thomas, Cleveland nuk bëri shumë rezistencë, ndërsa Sacramento për t’u rikthyer te fitorja iu fal veteranit të saj Vince Carter, i cili realizoi 24 pikë në këtë sfidë. U rikthye te fitorja Boston Celtics që në Karolinën e Veriut mposhti pa shumë vështirësi vendasit e Charlotte Hornets me rezultatin 102:91 për meritë edhe të dyshes Irving-Al Horford.

Rezultatet

Charlotte – Boston                  91:102

Indiana – Dallas             94:98

Atlanta – Washington    113:99

Chicago – New York     92:87

Minnesota – Denver      128:125

New Orleans – Brooklyn         128:113

Oklahoma – Toronto     124:107

Sacramento – Cleveland          109:95

Golden State – Utah Jazz        126:101

Lakers – Memphis                   99:109

(Kosova Sot)