Harry Kane zgjedhja e tifozëve të Realit para Neymarit dhe Mbappes

  • 29 December 2017 - 14:40
Harry Kane zgjedhja e tifozëve të Realit para Neymarit dhe Mbappes

Real Madridit ia kanë dërguar një mesazh të qartë tifozët e vet nëpër botë, duke e zgjedhur sulmuesin anglez, Harry Kane, si të preferuarin për ta parë në fanellën e gjigantit spanjoll.

Besohet se Reali është i gatshëm të shpenzojë para për një emër të madh në afatin kalimtar të janarit dhe golashënuesi më i mirë brenda vitit kalendarik 2017 është zgjedhja e tyre.

Mbi 100.000 lexues morën pjesë në sondazhin online të të përditshmes spanjolle “Marca” në dy versionet, atë anglisht dhe spanjisht, 85 për qind prej të cilëve thanë se Reali duhet ta blejë një sulmues në janar.

Tridhjetë e katër për qind (34) e lexuesve spanjoll dhe 29 për qind të atyre në uebsajtin në gjuhë angleze e zgjodhën Harry Kanin si të preferuarin e tyre.

Pas Kane u radhit Neymar me 25 për qind të votave, ndërsa Mbappe i treti me 14 për qind.

(Kosova Sot)