Mourinho thumbon Guardiolan, shpenzoi 250 milionë euro gjatë verës

  • 30 December 2017 - 11:26
Mourinho thumbon Guardiolan, shpenzoi 250 milionë euro gjatë verës

Jose Mourinho thumbon Pep Guardiolan dhe Manchester Cityn sa herë që t’i jepet rasti dhe këtë e bëri sërish gjatë ditës së djeshme.

Portugezi thotë se klubi i tij nuk mund t’i shpenzojë 600 milionë funte për pesë apo gjashtë lojtarë në një sezon, duke hedhur topin te rivali që ka transferuar të gjithë lojtarët që i ka dashur, për dallim nga Mourinho që transferoi tre, pavarësisht se kërkonte katër.

Guardiola shpenzoi 250 milionë euro për të forcuar skuadrën për sezonin e ri dhe deri më tani gjithçka po ecën mirë pasi është 15 pikë para Manchester United, që gjatë verës shpenzoi mbi 160 milionë euro.

City bleu lojtarë si; Benjamin Mendy, Kyle Walker dhe Danilo në mbrojtje, portier Ederson, mesfushor Bernardo Silva dhe të riun premtues që e ka huazuar në Spanjë, Douglas Luiz.

“Ju mendoni se klubi mund të në japë 600 milionë funte për të blerë lojtarë që kushtojnë nga 100 milionë? Nuk mund ta bëjë këtë klubi”, tha Mou për faqen zyrtare të Man United.

“Nuk pres që klubi ta bëjë këtë. Ju tashmë e dini se si është tregu, sidomos për ekipet e mëdha. Duke mos dashur me ia heq meritat Guardiolës, stafit dhe lojtarëve për punën që po bëjnë, Pep erdhi në Man City dhe e gjeti portierin e Kombëtares së Anglisë (Joe Hart), nuk i pëlqeu kështu që e bleu portierin e Barcelonës (Claudio Bravo), nuk e pëlqeu as atë kështu që vendosi të blejë edhe një tjetër (Ederson). Tani e pëlqen”.

“Ai kishte Pablo Zabaleta dhe Aleksandar Kolarov – dy lojtarë të mirë, por më shumë se 30 vjeçar. Ai dëshiroi t’i zëvendësojë dhe e bëri këtë me tre. Një nga Tottenham (Kyle Walker), një nga Monaco (Benjamin Mendy) dhe një nga Real Madrid (Danilo) që është një shembull”.

“A mund të blejmë ne pesë apo gjashtë lojtarë në të njëjtën kohë? A mund t’i investojmë 600 deri 700 milionë? Jo. Kështu që është e vështirë. Tregu ka ndryshuar, nuk ka limit, nuk ka fair-play, nuk ka asgjë, ju bëni çfarë të doni ose në të kundërtën do të hasni vështirësi”, theksoi Mou.

Në fakt, deklarata e Mourinhos është edhe thumb për drejtuesit e klubit të “Djajve të Kuq”, që nuk ia plotësuan gjitha kërkesat gjatë verës pasi portugezi beson se me Ivan Perisicin do të kishte krijuar një sulm të frikshëm.

Për dallim nga Mou, Guardiola mori dritën e gjelbër nga drejtuesit e Man City dhe gjatë verës ka blerë gjithë lojtarët që i ka kërkuar, kjo tashmë po sjell rezultat pasi po shkojnë sigurt drejt titullit. 

(Kosova Sot)