Batatina, analistëve: "Flladituni pak, në pranverë do t'ju befasoj edhe më shumë"

  • 03 January 2018 - 08:47
Batatina, analistëve:

LIDERI I SUPERLIGËS PARALAJMËRON NJË PRANVERË BOMBASTIKE

Titulli vjeshtor e ka motivuar edhe më shumë skuadrën llapjane

"Gjithmonë si trajner i kam shikuar punët e mia dhe prapë do t'i shikoj. E di që shumë analistë i kam lënë me gojën hapur me punën që kam bërë dhe tash kur moti është ftohur ka ndikuar negativisht tek ta. I këshilloj të marrin shurup kundër të ftohtit se në pranverë do të kenë temperaturë edhe më të madhe nga sukseset e Llapit", ka thënë trajneri i Llapit, Tahir Batatina

Edhe pse është skuadra më e suksesshme në stinorin vjeshtor, Llapi nga shumë analistë nuk po cilësohet si klubi më i favorizuar për titullin e kampionit, duke mos e vlerësuar lart këtë ekip. Megjithatë, kjo nuk duket se po ndikon në punën e trajnerit Tahir Batatina, i cili përveçqë njihet nga deklaratat interesante, ai po vazhdon t'i befasojë të gjithë me punën dhe sukseset që po i arrin në ekipin llapjan. Batatina deshëm apo jo aktualisht është njëri nga trajnerët më të suksesshëm në këtë ekip, pasi arriti për herë të parë pas lufte t'ia sjellë një titull siç ishte titulli kampionit vjeshtor. Mirëpo, me këtë sukses ai nuk e ka ndërmend të kënaqet. Ai në një bisedë për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se Llapi në pranverë do të jetë edhe më bindës dhe se është gati t'i befasojë edhe më shumë disa analistë që nuk po e vlerësojnë sa duhet skuadrën e tij.

Në Antalia për ta parë forcën evropiane

"Jemi skuadër që fare nuk i kemi ndalur përgatitjet. Jemi skuadër që e ndjekim trendin e skuadrave evropiane kështu që nuk kemi kohë të merremi me askënd vetëm me punët tona", ka thënë trajneri i Llapit, Tahir Batatina, duke folur më pas edhe për planet e ekipit për edicionin pranveror. Batatina ka njoftuar se në fund të këtij muaji do të udhëtojnë për Turqi, ku do ta zhvillojnë përgatitje në Anatalia atje ku pret të përballet edhe me disa skuadra tjera evropiane për ta parë më afër nivelin dhe formën e klubit të tij karshi ekipeve ndërkombëtare. "Me 26 janar do të lëvizim nga Kosova për në Antalia dhe atje jo për një fazë përgatitore por shkojmë për ndeshje kontrollues me skuadra të nivelit të lartë të shteteve tjera", ka thënë Batatina për gazetën "Kosova Sot".

I demanton analistët

Pa dyshim Llapi dhe trajneri i saj, Tahir Batatina, në stinorin vjeshtor i ka demantuar të gjithë njohësit e futbollit, pasi pothuaj asnjë nuk e kishte parashikuar atë që do të përfundojë në pozitën e parë në tabelë, duke iu dhënë shanse klubeve tjera. Ky "nënçmim" nuk ka dikuar mirë të trajneri, i cili i ka këshilluar analistët të qetësohen, pasi në pranverë do t'i bëjë të befasohen edhe më shumë. "Gjithmonë si trajner i kam shikuar punët e mija dhe prapë do t'i shikoj. E di që shumë analistë i kam lënë me gojën hapur me punën që kemi bërë, dhe tash kur moti është ftohur ka ndikuar negativisht tek ta. I këshilloj të marrin shurup kundër të ftohtit, se në pranverë do të kenë temperaturë edhe më të madhe nga sukseset e Llapit", ka thënë trajneri i Llapit, Tahir Batatina, duke folur më pas për ekipin e tij. Batatina për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se nuk pretendon të sjellë shumë përforcime, pasi ka ekip të mirë dhe beson në këta futbollistë. "Besoj fuqishëm në skuadrën dhe në këta djem. Besoj shumë edhe në punën time dhe të stafit tim si dhe në organizimin e klubit. Jam i bindur që ne në fund të kampionatit do ta themi fjalën kryesore", tha Batatina. "Gjatë afatit kalimtar të janarit te Llapi do të ndodhin shumë pak prurje, pasi nuk kam shumë nevojë. I kam lojtarët kampionë dhe nuk na duhen të tjerë. Unë u them tifozëve tanë që të përgatiten për të na mbështetur në rrugëtimin tonë si dhe të përgatiten për ta festuar titullin e parë kampion në histori të klubit të Llapit", ka përfunduar Tahir Batatina.

(Kosova Sot)