Shpresojnë në fitore ndaj Qipros

  • 11 January 2018 - 09:00
Shpresojnë në fitore ndaj Qipros

NDESHJET KUALIFIKUESE PËR KAMPIONATIN BOTËROR TË HENDBOLLIT

Teste të vështira për Përfaqësuesen e Kosovës

Hendbollistët e Kosovës po vazhdojnë përgatitjet intensive për kualifikimet e Kampionatit Botëror. Kosova do të përballet me Poloninë, Portugalinë dhe Qipron, derisa shpresat më të mëdha për rezultat pozitiv i kanë ndaj qipriotëve. Hendbollisti Florim Hoxha thotë se do të japin maksimumin në të tri përballjet

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll po vazhdon përgatitjet intensive për ndeshjet kualifikuese të Botërorit, ku do të kenë tri teste mjaft të vështira. Të enjten në orët e para të mëngjesit përfaqë- suesja e Kosovës udhëton për në Portugali ku do të luajë tri ndeshje në kuadër të grupit të katërt të fazës së parë kualifikuese për botërorin e vitit 2019. Kosova të premten përballet me Poloninë, të shtunën me Portugalinë, ndërsa të dielën me Qipron. Ndeshjet e grupit të katërt luhen në Povoa do Varzim të Portugalisë. Vetëm fituesi i grupit kalon në fazën tjetër, atë të "playoffit".

Angazhim maksimal në tri ndeshjet

Hendbollisti i Përfaqësueses së Kosovës, Florim Hoxha, është shprehur se përgatitjet po shkojnë shumë mirë. "Përgatitjet janë duke shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Atmosfera është shumë e mirë dhe të gjithë lojtarët janë të motivuar maksimalisht për ndeshjet që do t'i zhvillojmë në Portugali. Nuk do të jetë aspak lehtë në këto përballje, megjithatë, do të japim më të mirën në fushë", është shprehur Florim Hoxha për gazetën "Kosova Sot". Hendbollisti i cili luan në Gjermani, thotë se gjasat më të mëdha për rezultat pozitiv i kanë ndaj Qipros. "Dihet se kemi të bëjmë me ekipe mjaft të mira, si Portugalia, Polonia dhe Qipro. Dy të parat janë shumë të vështira, mirëpo ne do të japim maksimumin në të dyja ndeshjet. Me Qipron mendoj se jemi në të njëjtin nivel dhe nuancat e ndeshjes mendoj se do të vendosin fituesin. Ne do të japim 100 % në fushë dhe angazhimi ynë nuk do të mungoj në asnjë ndeshje. Shpresojmë se do të arrijmë rezultate pozitive", ka shtuar tutje Florim Hoxha për gazetën "Kosova Sot". Përveç tij janë edhe disa lojtarë që luajnë në ligat evropiane dhe do të mundohen të ndihmojnë Kosovën në këto sfida mjaft të vështira. 

Kundërshtarët shumë të fortë 

Kundërshtarët e Kosovës janë shumë të fortë. Polonia dhe Portugalia janë me përvojë ndërkombëtare dhe pritet të luftojnë për vendin për vendin e parë. Portugalia është paraqitur tri herë në Botëror të hendbollit. Në botërorin e vitit 2003, të cilin e organizoi vet, përfundoi e 12-ta. Së pari në botëror Portugalia ka garuar në vitin 1997, kur u rendit e 19-ta. Në vitin 2001 u rendit e 16-ta, ndërsa suksesin më të madh e pati në vitin 2003 me atë vend të 12-të. Më nuk është kualifikuar për botëror. Në Evropian për herë të parë garoi në vitin 1994 dhe u rendit e 12-ta. Në këtë garë u kthye në vitin 2007 kur zuri vendin e shtatë. Dy vite më vonë ishte e nënta, në vitin 2004 e 14-ta, ndërsa në vitin 2006 e 15-ta. Ka mbi një dekadë që nuk ka garuar në evropian. Në kualifikime për evropianin e këtij muaji ishte në grupin e pestë dhe u rendit e treta. Mbeti pas Gjermanisë e Sllovenisë, ndërsa la prapa Zvicrën. "Jemi përgatitur mirë për ndeshjet kualifikuese. Duhet të përmirësojmë disa gjëra në mbrojtje, por në përgjithësi jam i kënaqur. Në sulm, duhet të përmirësojmë efikasitetin e gjuajtjeve", ka thënë Paulo Pereira, përzgjedhësi i Portugalisë, raporton faqja e Federatës së Hendbollit të Kosovës.

(Kosova Sot)