“Zidane shkroi historinë, duhet të vazhdojë punën me Realin”

  • 12 January 2018 - 00:07
“Zidane shkroi historinë, duhet të vazhdojë punën me Realin”

Brenda dy viteve Zidane ka fituar tetë trofe dhe për hatër gjitha këtyreve dhe historisë që ka shkruar me Realin, duhet ë vazhdojë punën edhe sezonin e ardhshëm, këto janë fjalët e Michael Laudrup.

Real Madridi e nisi mirë sezonin 2017/18, duke fituar dy trofe. Ekipi i Zinedine Zidane e mposhti 2:1 Manchester United për ta fituar Superkupën e Evropës dhe brenda tri ditëve e mposhti dy herë Barcelonën (3:1 dhe 2:0), për ta fituar Superkupën e Spanjës.

Por, pas këtyre dy triumfeve, filloi ngecja në La Liga dhe tashmë Reali ka mbetur 16 pikë prapa Barcelonës, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.

Për këtë formë jo të mirë të Realit, të gjithë e drejtojnë gishtin kah Zidane.

Madje mediat spanjolle po raportojnë se Reali ka nisur që tani të kërkojë për zëvendësuesin e trajnerit francez.

Por, Michael Laudrup, që fitoi La Ligan në vitin 1995 pasi iu bashkua Madridit nga Barcelona, thotë se rekordet që theu Zidane dhe tetë titujt e fituar për vetëm dy vite – duhet të vlejnë që ai të vazhdojë punën në “Santiago Bernabeu”.

“Mendoj se ai ka bërë punë fantastike”, tha Laudrup për “Omnisport”.

“Erdhi në një kohë të vështirë dhe triumfoi. Ai arriti diçka për herë të parë në histori të Ligës së Kampionëve, duke fituar dy herë me radhë trofeun që nga viti 1993. Fitoi La Ligan para Barcelonës, kështu që mendoj se ka bërë punë fantastike”.

“Të gjithë diskutonin në fillim për fitoren në Superkupë kundër Barcelonës dhe atë vit, ata fituan gjithçka. Ky vit nuk është si i mëparshmi, por mendoj se ajo që ai ka arritur në dy vite – duhet të jetë e mjaftueshme për t’i besuar mjaftueshëm edhe nëse nuk fiton asgjë këtë sezon”.

“Ai meriton më shumë besim dhe duhet të vazhdojë me këtë punë”, theksoi mes tjerash Laudrup.

(Kosova Sot)