Munishi: Kujdes, e ardhmja po rrezikohet!

  • 12 January 2018 - 08:30
Munishi: Kujdes, e ardhmja po rrezikohet!

KLUBET, TË FOKUSUARA TE LOJTARËT E HUAJ, PO HARROJNË TALENTET VENDORE

Shumë yje në mungesë të hapësirave po shuhen para kohe

Futbolli në ditët e sotme në një- farë formë është bërë biznes. Përfitimet e mëdha që mund të sjellë ky sport po bën që klubet evropiane të hapin lloj-lloj akademish për të nxjerrë në sipërfaqe sa më shumë talente nga të cilët në të ardhmen mund të përfitojnë miliona euro. Edhe në Kosovë, klubet tona kanë mundësi të mëdha të përfitojnë nga talentet, pasi sipas njohësve të futbollit këtu ka shumë të tillë, por që meritojnë një tretman më ndryshe. Kur jemi në afatin kalimtar për futbollistë, shohim se klubet elitare janë fokusuar kryesisht në prurje nga jashtë me pretendime për ta ngritur futbollin, gjë e cila po bën që t'u kufizohen hapësirat lojtarëve të rinj dhe kjo automatikisht po bën që shumë prej tyre të shuhen para kohe."Unë ju garantoj që qysh tash janë më shumë se 20 futbollistë të rinj që meritojnë të luajnë në ekipet e para në Superligën e Kosovës, por fatkeqësisht nuk po luajnë. Trajnerët nuk po kanë guxim t'ju besojnë, e pse po ndodh kjo unë nuk e di, ndoshta kanë presion edhe nga drejtuesit e klubeve që dëshirojnë me çdo kusht rezultate", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" trajneri i mirënjohur, Kushtrim Munishi.

Talente sa të duash

 Sipas ish-trajnerit të Prishtinës, Kushtrim Munishi, i cili aktualisht është i fokusuar te puna me të rinjtë, Kosova ka talente të shuma, por që ata kërkojnë një përkushtim më të madh."Nëse kërkohet një opinion imi se a po bëjnë klubet mjaftueshëm për talentet, unë them jo dhe atë jo vetëm trajnerët e ekipeve të para por edhe ata që punojnë me kategori të reja. Pra, duhet një punë zingjirore nëse duam rezultate. Pra, në këtë situatë kërkohet një bashkëpunim i ngushtë i trajnerit të ekipit të parë me ata të kategorive të reja dhe nga ta të marrë një vlerësim për lojtarët e rinj e jo të vendosë për ta pasur 2- 3 ndeshjeve", ka thënë për "Kosova Sot", Kushtrim Munishi.

Hapësirat e kufizuara

 Se Kosova ka futbollistë për të ardhmen, por janë klubet që nuk po i trajtojnë si duhet dhe më pas nuk po përfitojnë asgjë nga ta, e dëshmojnë Milot Rashica, Agim Zeka, Edon Zhegrova etj., të cilët u larguan nga Kosova dhe po shkëlqejnë në klubet evropiane, ndërsa klubet e tyre në Kosovë nuk kanë përfituar asgjë nga ta."Klubet në këtë aspekt duhet të jenë më syçelë dhe t'i vlerësojnë më shumë lojtarët vendorë. Në çdo kampionat përforcimet nga jashtë janë të mirëseardhura dhe edhe i mirëpres ato, por them të drejtën unë pak besoj se mund të kemi lojtarë të mirë nga jashtë, pasi ata kushtojnë dhe sigurisht që lojtarët e niveleve të larta kërkojnë kampionate më të forta sesa ky i yni. Për këtë arsye ne duhet ta vlerësojmë brumin tonë nëse duam të ardhme më të mirë. Pra, t'u japim mundësi këtyre që i kemi këtu e jo t''i vlerësojmë të huajt më shumë derisa janë në të njëjtin nivel me lojtarët vendorë" ka thënë Munishi, duke i bërë më pas një analizë afatit kalimtar. "Nuk e di, po flitet shumë për prurje nga jashtë, por unë ende nuk kam parë ndonjë të tillë. Ndoshta në ditët e ardhshme mund të kemi lëvizje, por po e përsëris unë pak pres që mund të kemi prurje të mëdha nga jashtë, pasi ata kushtojnë shumë dhe ne e dimë situatën financiare në klubet tona", përfundoi Kushtrim Munishi.

(Kosova Sot)