Sfidat e Kosovës

  • 12 January 2018 - 08:31
Sfidat e Kosovës

NDESHJE JO TË LEHTA PËR PËRFAQËSUESEN E KOSOVËS NË HENDBOLL

Për tri ditë me radhë, Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll do të ketë tri ndeshje shumë të vështira. Në palestrën Povoa de Varzim të Portugalisë, Kosova të premten (në orën 17:15) do të sfidohet nga Polonia, kurse të shtunën ndeshet me Portugalinë (18:00) dhe të dielën mbyll kapitullin me Qipron (15:30). Këto ndeshje zhvillohen në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm. Vetëm fituesi i grupit kualifikohet në rrethin e ardhshëm dhe do të jetë vështirë që Përfaqësuesja e Kosovës të kualifikohet tutje.

Me dy mungesa

Favorite e grupit llogaritet Polonia, derisa gjasat e Kosovës për fitore janë ndaj Qipros, kurse ndaj Portugalisë do të tentojnë për befasi. Trajneri i hendbollit, Taib Kabashi, pret që djelmoshat kosovarë të tregojnë paraqitje të mira në Portugali. "Fillimisht shpresoj që Kosova do të tregoj lojëra të mira në këto ndeshje. Tashmë kanë më shumë përvojë ndërkombëtare. Mendoj se ky është ekipi më i mirë i mundshëm që mund të ketë Kosova, edhe pse janë të lënduar Enis Kabashi dhe Lindrit Fetahu. Pavarësisht kësaj, besoj se hendbollistët kosovarë do të tregojnë lojëra të mira, pasi kjo është shumë e rëndësishme. Këta djelmosha që një kohë të gjatë luajnë së bashku dhe është koha që të kenë suksese edhe në arenën ndërkombëtare. Është një ekip i kombinuar me lojtarë nga Superliga dhe ata që luajnë në ligat evropiane", ka thënë Kabashi për gazetën "Kosova Sot". Përfaqësuesja e Kosovës është përgatitur në Gjakovë dhe Prishtinë, në mënyrë që të ketë paraqitje sa më të mira në këto kualifikime. Trajneri Taip Ramadani dhe lojtarët janë shprehur se përgatitjet kanë shkuar shumë mirë, ekipi është i motivuar dhe do të japin maksimumin në fushë në të tria ndeshjet, që janë shumë të rëndë- sishme.

Vendi i dytë

Shpresat më të mëdha të Kosovës janë për fitore ndaj Qipros, në takimin e tretë, por nuk duhet dorëzuar as në dy ndeshjet e para. "Padyshim se favorit i grupit është Polonia, që ka një ekip shumë të mirë. Portugalia nuk është superfuqi në hendboll dhe mendoj se Kosova duhet të kërkojë rezultat pozitiv ndaj portugezëve, që janë favoritë për shkak të terrenit vendas, megjithatë nuk kanë super ekip, dhe djelmoshat kosovarë nuk duhet të dorëzohen dhe të kërkojnë rezultat pozitiv. Gjasat më të mëdha janë ndaj Qipros, dhe mendoj se duhet të fitojmë në këtë takim. Do të jetë e vështirë që tri ndeshje t'i zhvillojnë për tri ditë, megjithatë, këto janë gara ndërkombëtare dhe duhet t'i përshtatemi orarit. Shpresoj se djelmoshat kosovarë të tregojnë lojëra të mirë në këto kualifikime dhe të shënojnë një ose dy fitore. Do të duhej të ishim të kënaqur me vendin e tretë, por pse jo, edhe të synojmë vendin e dytë", ka shtuar trajneri shumëvjeçar i hendbollit, Taib Kabashi për gazetën "Kosova Sot". Aventura e Kosovës në këto kualifikime fillon me Poloninë favoritë, për të vazhduar të shtunën ndaj Portugalisë dhe të dielën ndaj Qipros.

(Kosova Sot)