Gjyqtarët nuk i frikësohen PRESIONIT TË PRANVERËS

  • 06 February 2018 - 09:11
Gjyqtarët nuk i frikësohen PRESIONIT TË PRANVERËS

VALA SUPERLIGA E KOSOVËS PO PRITET ME KËRSHËRI TË MADHE

Pjesa e dytë e kampionatit më e nxehtë se kurrë më parë

Investimet e mëdha që kanë bërë klubet, por edhe objektivat e hapura në të gjitha frontet si në luftë për titull, mbijetesë e ashtu edhe për Kupë, po bën që kjo pranverë të vlerësohet si njëra nga më interesantet e pasluftës. Si kurrë më parë klubet elitare kanë bërë ndryshime dhe nëse merren dy afatet kalimtare brenda një edicioni ku janë bërë rreth 200 transferime në 12 klube, atëherë nuk ka sesi të quhet ndryshe vetëm se një garë e luftuar jashtëzakonisht shumë. Ajo që ka shqetësuar me shumë viteve të fundit opinionin, ishin ankesat e mëdha të trajnerëve në adresë të gjyqtarëve duke i etiketuar shpesh edhe si faktorë kyç në rregullshmërinë e një ndeshjeje. Dhe, për të mos u përsëritur kjo në pranverë, Federata e Futbollit në bashkëpunim më Komisionin e Gjyqtarëve ka organizuar seminare të cilat pritet t'i ndihmojnë gjyqtarët në eliminimin e gabimeve që ndodhën në vjeshtë. Gjyqtari më i mirë i Kosovës i shpallur për vitin 2017 nga FFK-ja, Genc Nuza në një bisedë për gazetën "Kosova Sot" ka siguruar se gjyqtarët po punojnë shumë që në pranverë të mos jenë figura të diskutuara pas ndeshjes.

Të gatshëm për çdo sfidë

Ka mbetur edhe një javë deri në fillimin e stinorit të ri të futbollit, i cili do të hapet me ndeshjet e Kupës që luhen në mesjavën e ardhshme, për të nisur më pas në fundjavë edhe stinori pranveror. Gjyqtari me emblemë të FIFA-s, Genc Nuza, ka thënë se ai dhe shokët e tij janë të gatshëm për ta drejtuar mbarë këtë kampionat deri në fund. "Ne sapo jemi kthyer nga seminari dhe testet fizike dhe teorike që u mbajtën për 5 ditë në Ulqin. Pothuajse shumica e gjyqtarëve dhe asistentëve treguan përgatitje të lartë, kjo edhe në bazë vlerësimit të komisionit për gjyqtarë. Ne tashmë veçse jemi të gatshëm të nisim gjysmë stinorin pranveror", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Genc Nuza, i cili e ka parasysh se pranvera do të jetë bukur interesante pasi klubet kanë bërë ndryshime të mëdha. "Duke marrë parasysh se shumë skuadra janë përforcuar, kjo lë të kuptohet se do të kemi një kampionat të vështirë pasi edhe renditjen tabelare është shumë interesante. Mirëpo, ne gjyqtarët gjithmonë përgatitemi për gjitha ndeshjet njëjtë dhe duke u bazuar në ngritjen tonë dita-ditës besoj se jemi të gatshëm për një rifillim të mbarë", ka thënë Nuza. 

Mendjen edhe te ndeshjet ndërkombëtare

Genz Nuza ishte gjyqtari i parë kosovar pas pranimit në UEFA e FIFA që mori stemën si gjyqtar i FIFA-s dhe pas disa paraqitjeve të jashtëzakonshme në disa ndeshje ndërkombëtare bëri që FIFA të pranojë edhe një treshe tjetër për ndeshje ndërkombëtare. Nuza për gazetën "Kosova Sot", pret që gjatë këtij viti t'i besohen ndeshjet edhe më me peshë sesa ato që pati vitin e kaluar. "Sigurisht që pres të delegohemi edhe në Evropë pas paraqitjeve tona të mira në vitin e parë dhe vështirësive që kishim gjatë fillimeve tona. Tani jemi më të përgatitur dhe besoj që ndeshje pas ndeshje të tregojmë performanca sa më të mira që të marrin sa më shumë ndeshje pse jo edhe të niveleve më të larta", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Genc Nuza, i cili krejt në fund u ka bërë thirrje gjithë futbollistëve e klubeve që të kanë një bashkëpunim me gjyqtarët në fushën e lojës që ta përfundojnë kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme.

(Kosova Sot)