NBA: Griffin frymëzon Detroitin, zhgënjejnë Miami e Chicago

  • 06 February 2018 - 13:37
NBA: Griffin frymëzon Detroitin, zhgënjejnë Miami e Chicago

Detroit Pistons shkëlqen me Blake Griffin. Skuadra nga Michigani nuk di më të ndalet teksa regjistroi fitoren e 4-t radhazi falë edhe yllit të saj të ri ish basketbollistit të Clippers, Blake Griffin i cili koleksionoi në total 21 pikë, 6 asiste dhe 9 rebound në suksesin me shifrat 111-91 të Detroit ndaj Portland Trail Blazzers.

Pistons me këtë fitore iu afruan ndjeshëm zonës play-off ndërsa zhytën zyrtarisht në krizë skuadrën nga Oregoni, me Portland që pësoi humbjen e 3-të rresht. 

Një dorë në këtë fitore Detroit-it ia dha edhe Andre Drummond autori i 17 pikëve, 17 rikuperimeve poshtë tabelës dhe 17 asisteve. Në krahun tjetër 20 pikët e Damian Lillard ishin të pamjaftueshme për Trail Blazzers. 

Në sfidën që veterani Dirk Noëitzki vendosi një tjetër rekord duke kapur shifrën e 50 mijë minutave mbi parket në NBA, Dallas Mavericks pësoi një tjetër humbje. Skuadra teksane u mposht me rezultatin e ngushtë 104-101 nga Los Angeles Clippers në Staples Center duke konfirmuar edhe njëherë tjetër se ky sezon duhet harruar sa më shpejt nga Mavericks të cilët pozicionohen në vendin e fundit të Konferencës së Perëndimit, raporton SS. 

Më i miri mbi parket për Clippers rezultoi italiani Danilo Gallinari i cili realizoi 28 pikë. Përmbysje fantastike ajo e Sacramento Kings që në fund të periodës së parë po humbiste me 19 pikë diferencë ndaj Chicago Bulls por në fund ishin kalifornianët ata që triumfuan me rezultatin 104-98. 

Një humbjes zhgënjyese pësoi Miami Heat që tashmë zyrtarisht në krizë. Orlando Magic triumfoi në derbin e Floridas me rezultatin e ngushtë 111-109 për meritë edhe të kroatit Hezonja i cili realizoi 20 pikë duke i shkaktuar skuadrës së trajnerit Eric Spoelstra disfatën e 4-t.

(Kosova Sot)