Fino: Futbolli shqiptar i sëmurë, ta fusim në një etapë të re

  • 07 February 2018 - 12:41
Fino: Futbolli shqiptar i sëmurë, ta fusim në një etapë të re

Ndërsa pritet që të fillojë votimi për kreun e FSHF, kandidati Bashkim Fino u shpreh para delegatëve se arsyeja se përse ai kërkon votën për të marrë drejtimin e futbollit shqiptar është se kërkon që ta fusë atë në një etapë të re.

Teksa foli për platformën e tij, Fino theksoi se reforma në futbollin shqiptar do të nisë nga vetë institucioni i FSHF. Duke vënë në dukje se në 16 vitet e drejtimit të Armand Dukës futbolli shqiptar është bërë i pabesueshëm.

“Përmes votës suaj, futbolli ka mundësinë të hyjë në një etapë të re. Reformim cilësor dhe sasior drejt integrimit europian. Futbolli do të thotë shoqëri e shëndetshme. Më shumë futboll do të thotë më pak pak ilaçe e drogë, më pak fenomene negative në shoqëri. Nuk kërkoj votën për cilësitë e mia personale, kërkoj të më votoni për programin që unë propozoj për kalimin e status quo ku ka ngelur futbolli në këto vite. Me keqardhje konstatoj se futbolli shqiptar është sot i sëmurë sot futbolli shqiptar është shumë pak i besueshëm. Shumica e skuadrave nuk kanë struktura. Besimi i humbur tek gara sjell një eksod të tifozëve, duke i lënë stadiumet bosh. Ndërtimi i fushave nuk është meritë e administratës, çështja është se me çfarë kushtesh e kriteresh janë përzgjedhur këto projekte. Justifikimi nuk mund të jetë thjeshtë se ato janë miratuar në asamble. Kam bindjen se futbolli ka një potencial të madh dhe mund të shfrytëzohet si Limitim të mandatit të kreut të FSHF. Do të realizojmë 5 stadiume sipas standardeve. Liga Profesioniste që do të realizohet me përvojën më të mirë evropiane. Sot ne kemi dy herë më pak futbollistë të regjistruar se sa periudha e 1990-2000. Platforma ime parashikon se do të ketë trefishim të fondeve. Kjo arrihet nga shkurtimi i administratës së fryrë, nga shfrytëzimi me eficencë i të ardhurave nga të drejtat telezvive apo reklamave. Çdo ndryshim nis nga vetvetja, prandaj edhe kjo reformë do të nisë nga FSHF. Çdo vendim do të merret nga Asambleja”, u shpreh Fino.

Pjesë e reformës që kandidati Fino deklaroi se do të ndërmarrë nëse zgjidhet në krye të FSHF është rishikimi i rregullores për tolerancë 0 për trukimin e ndeshjeve.

“Do të rishikojmë kodet dhe aktet rregullatore për të garantuar transparencë si edhe tolerancë 0 për trukimin e ndeshjeve. Kërkoj votën tuaj, jo për atë çfarë ka ndodhur në të shkuarën. Angazhohem se përmes mirë administrimit dhe transperencën e fondeve do të ecim përpara, fondet e FSHF jo për presidentin e FSHF, por për futbollistët”, u shpreh Fino.

Në përfundim të fjalës së tij, Bashkim Fino iu drejtua edhe zëvendëspresidentit të UEFA-s, Grigori Surkis, i cili pati kërkuar më herët që të mos ndërhyjnë palët e treta. Fino theksoi se dashuria që ai ka për futbollin është garancia e tij.

Zoti Surkis, jam shumë dakord të mos ndërhyjnë palë të treta. Në Shqipëri ka shumë palë të treta që ndërhyjnë. Më lejoni të citoi Pele: “Suksesi nuk është rastësi, suksesi mbërrin me më shumë punë, sakrificë, këmbëngulje dhe dashuri për atë që bën”. Dashuria ime për futbollin do të jetë garancia ime, u shpreh Fino.

 

(Kosova Sot)