Duka i lumtur për rizgjedhjen, Fino dyshon në parregullsi

  • 07 February 2018 - 14:31
Duka i lumtur për rizgjedhjen, Fino dyshon në parregullsi

Pasi u konfirmua në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit për mandatin e tij të pestë, Armand Duka mes emocioneve tha se nga sot nis një punë akoma më e vështirë.

“Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar. Jam i lumtur për mbështetjen që më keni dhënë. Nga sot fillon një gjë akoma më e vështirë”, u shpreh Armand Duka.

Në raundin e parë të votimit, asnjëri nga 3 kandidatët nuk mundi të merrte 2/3 e votave, Armand Duka në votimin e dytë ka siguruar mbi 50% të votave duke siguruar edhe mandatin e tij të pestë.

Armand Duka ka marrë 38 vota në raundin e dytë, ndërsa rivali i tij Bashkim Fino ka marrë 24 vota, ndërsa 3 të tjera rezultuan të pavlefshme.

Me përfundimin e procesit të votimit, që rikonfirmoi Armand Dukën si kreun e FSHF-së për një mandat të pestë, rivali i tij Bashkim Fino deklaroi se e priste këtë rezultat, e për këtë arsye nuk mund të ishte i zhgënjyer. Sipas tij, ky ka qenë një proces i parregullt për shkak të listës së delegatëve.

“Po të mos ishin shoqatat dhe klubet ilegale, do ishte një garë më e ndershme”, theksoi Fino në daljen e parë pas përfundimit të numërimit për kreun e ri të FSHF-së. /Top Channel/

(Kosova Sot)