NBA, James dhe Harden dhurojnë spektakël

  • 08 February 2018 - 10:24
NBA, James dhe Harden dhurojnë spektakël

Reagon Cleveland Cavaliers pas një periudhe të vështirë, duke mposhtur në sekondat e fundit të shtesës Minnesota Timberwolves 140:138

Në sfidën e zhvilluar në “Quicken Loans Arena” protagonist absolut ishte LeBron James me 37 pikë, 15 asiste dhe 10 rikuperime.

Një tjetër “triple double” nga “Mbreti” James, që shmangu kapitullimin para publikut vendas të skuadrës që drejtohet nga Tyronn Lue. Një ndeshje kjo shumë e ekuilibruar, pikë pas pike, me Jimmy Butler dhe Karl Anthonty që tentuan të befasonin Cavs, respektivisht me 35 dhe 30 pikë, por paraqitja e tyre rezultoi e pamjaftueshme para “mostrës” së Cleveland.

Në këtë mbrëmje “yjesh” James Harden përgjigjet me një tjetër performancë të jashtëzakonshme në parketin e Miamit.

“Mjekrroshi” shënoi 41 pikë, dha 6 asiste dhe kontrolloi 4 topa poshtë koshit në fitoren 101 – 109 të Houston Rockets. Statistika impresionuese edhe ato të Chris Paul: 24 pikë, 7 asiste dhe po 7 rikuperime.

Në “Little Caesars Arena” Detroit Pistons iu imponua 115 – 106 Brooklyn Nets. 34 pikë realizoi për njujorkezët Crabbe, ndërsa Drummond në mënyrë të pabesueshme kontrolloi 27 topa poshtë koshit, por Pistons siguruan fitoren të udhëhequr nga Griffin, që e mbylli takimin me 25 pikë.

Triumf i pabesueshëm i San Antonio Spurs 129 – 81 ndaj Phoenix Suns. Skuadra nga Arizona u shfaq shumë e brishtë në fazën mbrojtëse duke humbur me plot 48 pikë diferencë. 23 pikë dhe 13 rikuperime për LaMarcus Aldridge, që rezultoi më i miri për Spurs.

Më në fund arrin të fitojë jashtë fushës Utah Jazz, që iu imponua 88 – 92 Memphiz Grizzlies në “FedExForum”. Ra në sy forma e Ricky Rubio me 29 pikë, 3 asiste dhe 8 rikuperime.

(Kosova Sot)