“Shtegu i shpresës – Trail of Hope"

  • 08 February 2018 - 12:50
 “Shtegu i shpresës – Trail of Hope

Për të shënuar 20 vjetorin e luftës për çlirimin e Kosovës dhe 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, Asociacioni Kosovar për Vrapim Malor (Kosova Trail Running Association - KTRA) organizon me 3 dhe 4 mars vrapimin 100 kilometërsh përgjatë vatrave kryesore të rezistencës gjatë luftës në Kosovë

Nën moton “Shtegu i Shpresës: I kujtojmë të gjithë”, KTRA synon të përkujtojë sakrificën e madhe të qytetarëve të Kosovës për lirinë e brezave të ardhshëm të saj dhe ndërtimin e shtetit të pavarur e të qëndrueshëm.

Shtegu i vrapimit, që përfshinë ngjitje prej 2000 metra, fillon në Prekaz te kompleksi përkujtimor “Adem Jashari” për të vazhduar në Likoshan, Gllogjan dhe me përfundim në Koshare në brezin kufitar me Republikën e Shqipërisë. Ky vrapim njëherit shënon aktivitetin e parë të këtij lloji të organizuar në Kosovë dhe synon që Kosovën ta vendosë në hartën turistike.

Shtegu do të jetë i ndarë në këto 4 segmente:

Prekaz-Likoshan 14km

Gllarevë (Hotel Nora) - Koshare 50km

Gllogjan – Koshare 21km

Prekaz – Koshare 100km

“Në mbamendjen tonë kolektive këto ditë janë ditë të dhembjes së madhe”, deklaroi Arineta Mula, drejtoreshë e KTRA-së.

“Duke vrapuar përgjatë këtyre fshatrave ne do të përkujtojmë sakrificën sublime që u bë që ne të jetojmë në liri dhe paqe. Njëkohësisht, është një premtim për të ecur përpara, premtim që gjithë këtë vuajtje dhe dhembje do ta njohim dhe do ta shndërrojmë në forcë për ta ndërtuar Kosovën dhe për ta lartësuar idealin e lirisë për të gjithë”, thotë në fund ajo.

Regjistrimi për vrapimin “Shtegu i Shpresës” tashmë është hapur.

(Kosova Sot)