Real Madridi e shkatërron Sociedadin, Ronaldo realizon het-trik
Real Madridi e ka dërrmuar Real Sociedadin të shtunën në mbrëmje, derisa superylli portugez Cristiano Ronaldo shënoi tre gola.
Reali e priti Sociedadin në “Santiago Beranebu” në një ndeshje në kuadër të javës së 23-të të La Ligës spanjolle, duke e mposhtur me rezultat të thellë 5-2.
Reali nisi frikshëm këtë ndeshje dhe pas një asisti nga Cristiano Ronaldo, Lucas Vasquez shënoi për epërsinë e vendasve në minutën e parë.
Pas 27 minutave lojë, Ronaldo gjeti rrjetën e portierit mysafir duke realizuar për 2-0. Më pas, Toni Kroos shënoi për 3-0 në minutën e 34-të, me Ronaldon që shënoi golin e dytë personal në minutën e 37-të.
Pjesa e parë u mbyll 4-0 për Real Madridit pas një dominimi total të djelmoshave të Zinedine Zidanit.
Sociedad reagoi vonë, dhe golin e parë në ndeshje e shënoi vetëm në minutën e 74-të. Por, për ta vulosur fitoren e Realit dhe arritur het-trikun, Ronaldo shënoi në minutën e 80-të.
Krejt në fund, Illarramendi realizoi golin e dytë të Sociedadit.
Real Madridi tani ngjitet në vendin e tretë me 42 pikë, 16 më pak se lideri, Barcelona.
Sociedad nuk lëviz nga vendi i 14 me 26 pikë të grumbulluara.
(Kosova Sot)