Napoli fiton bindshëm derbin e javës ndaj Lazios, rimerr kreun në Serie A

  • 10 February 2018 - 22:49
Napoli fiton bindshëm derbin e javës ndaj Lazios, rimerr kreun në Serie A

Napoli është treguar tepër i fortë për Lazion në derbin e javës së 24-të në Serie A, duke fituar me rezultat të thellë 4-1, të shtunën mbrëma.

Napoli ishte nikoqir i Lazios në “San Paolo” dhe pas një loje fantastike në pjesë të dytë rrëzoi Juventusin nga vendi i parë, për ta rimarrë kryesimin në Serie A, me 63 pikë, një shumë se bardhë e zinjtë.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte mjaftë e barabartë dhe u mbyll 1-1, pas golave të realizuar nga Stefan de Vrij në minutën e 3-të dhe Callejon në të 43-tën.

Mirëpo, Napoli i nisi furishëm pjesën e dytë dhe pas një aksioni të gjatë të vendasve, mbrojtësi i Lazios Wallace shënoi në portën e vet në tentim për ta larguar topin nga zona.

Pas vetëm dy minutave, Zielinski shënoi për ta çuar epërsinë në 3-1.

Lazio nuk mundi të bëjë më shumë në këtë ndeshje dhe përfundimisht u fundos kur Mertens shënoi golin e katërt të Napolit në këtë ndeshje.

Lazio mbetet në vendin e tretë me 46 pikë, një më shumë se Interi dhe dy më shumë se Roma, të cilat, megjithatë, e kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar, dhe mund ta zbresin atë në vendin e katërt me fitore eventuale nesër.

(Kosova Sot)