Sançez i përgjigjet kritikave: Te Junajtid për titujt që s’i fitoja dot te Arsenali, jo për para

  • 11 February 2018 - 12:56
Sançez i përgjigjet kritikave: Te Junajtid për titujt që s’i fitoja dot te Arsenali, jo për para

Aleksis Sançez është i bindur se e ardhmja e tij do të jetë e mbushur me trofe dhe, për këtë arsye, ka bërë edhe lëvizjen nga Arsenali te Mançester Junajtid.

Sulmuesi kilian është sulmuar jo pak, duke parë se transferimi i tij u duk më shumë një zgjedhje parash, sesa çështjeje teknike. Kjo, për faktin se ai fillimisht kishte kërcënuar te “topçinjtë” për t’iu bashkuar Pep Guardiolës te Mançester Siti, ndërsa pas ofertës marramendëse ekonomike të Junajtid, ai firmosi për ekipin e Zhoze Murinjos.

“Kjo historia e parave është bërë e lodhshme, – shprehet Sançez përpara një ikone të Arsenalit, Tierri Henrisë, i cili tani bën rolin e gazetarit për ‘Sky Sport’. – Nuk ka dyshime se Arsenali është një nga klubet më të mëdha angleze, por Mançester Junajtid është diçka krejtësisht tjetër. Mjafton të shohësh ambientet e klubit, për të kuptuar madhështinë e tij dhe pikërisht besimi se me Mançesterin mund të fitoj shumë trofe, më shtyu që të firmos për ta.

Madje, këtu, duke parë edhe trajnerin, por edhe kampionët e shumtë që stërviten me mua, mund të përmirësohem dhe të jem edhe një lojtar më i fortë në vazhdim. Tek Arsenali, duke parë dhe rezultatet e tyre në vitet e fundit, do të kishte qenë e vështirë që të synoja trofe të rëndësishëm, në një kohë të shkurtër”, deklaroi kiliani.

(Kosova Sot)