Sadiku: Jam i lënduar, kjo është arsyeja që nuk kam luajtur

  • 12 February 2018 - 12:57
Sadiku: Jam i lënduar, kjo është arsyeja që nuk kam luajtur

Levante u mund në derbi nga skuadra e Valencias, ndërkohë sulmuesi i ri i ekipit të La Ligas, bomberi i kombëtares shqiptare Armando Sadiku, nuk u grumbullua as në këtë sfidë.

Ndërkohë që debutimi i tij pritej që në ndeshjen e parë ndaj Realit të Madritit, të gjithë u habitën kur emrin e Sadikut nuk e gjetën as në listën e të grumbulluarëve për ndeshjen që Levante luajti kundër Valencias.

Armando Sadiku tha shkurtimisht për Telesport se “vonesa e debutimit ka ardhur për shkak të një dëmtimi, që do vonojë edhe për dhjetë ditë të tjera debutimin me ekipin e Levantes”-tha Sadiku.

Sulmuesi kuq e zi ishte një nga transferimet më të bujshme të lojtarëve të kombëtares shqiptare gjatë afatit të janarit.

Ai kaloi nga skuadra e Legias së Varshavës ku luajti për gjysmësezoni te skuadra e Levantes vetëm në ditët e fundit të merkatos së muajit janar.

Levante e bleu sulmuesin shqiptar për 1 milionë euro dhe ka nënshkruar një kontratë, që e mban të lidhur me ekipin spanjoll për dy vite e gjysmë.

(Kosova Sot)