Trepça'89 po rikthehet e frikshme

  • 02 March 2018 - 09:03
Trepça'89 po rikthehet e frikshme

KAMPIONI AKTUAL JEP SINJALE TË FORTA NË START TË PRANVERËS

Në fundjavë "minatorët' i pret një ndeshje shumë e vështirë

"Trepça '89 gjithmonë ka luajtur futboll të bukur për sy. Unë besoj shumë në ekip dhe tash, pas 2 fitoreve radhazi, vetëm sa do ta rrisim lojën tonë, në mënyrë që t'i kënaqim tifozët tanë dhe kështu të arrijmë ta mbrojmë titullin e kampionit të fituar në edicionin e kaluar", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" mbrojtësi i Trepçës'89, Përparim Islami

Dy fitore në dy ndeshjet e para kampionale janë një sinjal i qartë se kampioni aktual, Trepça'89, i ka lënë anash telashet që kishte në vjeshtë dhe se tashmë e ka gjetur formulën e duhur për ta kthyer ekipin aty ku ishte edicionin e kaluar, kur edhe arriti ta fitojë titullin e kampionit. Trepça'89 duhet pranuar që në vjeshtë pati telashe bukur të mëdha. Menjëherë pas eliminimi në mënyrë të turpshme në Ligën e Kampionëve, duket se pakënaqësitë u rritën, derisa edhe besimi në trajnerin kishte nisur të zbehet. Këto u reflektuan në start të garave, ku pas vetëm 4 ndeshjeve trajneri Zekërija Ramadani u shkarkua për t'u zëvendësuar nga ndihmësit e tij. Nuk vonojë shumë dhe në postin e trajnerit u emërua Gani Sejdiu, por as ky nuk e kishte gjatë dhe kjo bëri që rezultatet të mungojnë. Mirëpo me të filluar afati kalimtar i dimritdrejtuesit e skuadrës reaguan, duke e sjell si trajner të mirënjohurin Gugash Magani, derisa më vonë erdhën edhe disa përforcime, të cilat sikur e kanë vu në binarë ekipin. Gjithsesi, sinjali i parë ishte negativ, pasi qysh në hapjet të këtij stinori u eliminua nga Kupa e Kosovës duke pësuar humbje para tifozëve të vetë nga Llapi dhe duket se pikërisht kjo humbje ka ndikuar që ekipi të mobilizohet dhe kjo u pa në dy ndeshjet e para kampionale, ku morën maksimumin epikëve, për ta kthyer kështu përsëri besimin se mund ta fitojnë titullin e kampionit për të dytin vit rresht.

Mësim nga kupa

Humbja në Kupë duket se ka qenë një mësim për futbollistët e Trepçës'89, duke e kuptuar se vetëm me angazhim maksimal arrihet fitorja dhe kjo mënyrë u pa në ndeshjet kampionale. "Eliminimi nga Kupa ishte një hap mbrapa për ne. Fati na ka munguar në atë ndeshje pasi kemi krijuar shumë arsye dhe nuk arritëm të shënojmë. Por ajo tashmë është harruar dhe ne jemi rikthyer furishëm në kampionat dhe deri në fund do të luftojmë për ta mbrojtur titullin. Kemi potencional në ekip dhe nuk dorë- zohemi assesi", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" mbrojtësi i Trepçës'89, Përparim Islami, duke u premtuar tifozëve se në vazhdim vetëm sa do ta rrisin lojën e tyre. "Trepça '89 gjithmonë ka luajtur futboll të bukur për sy. Unë besoj shumë në ekip dhe tash pas 2 fitore radhazi vetëm sa do ta rrisim lojën tonë në mënyrë që t'i kënaqim tifozët tanë", ka thënë Islami për gazetën "Kosova Sot".

Sfida me Prishtinën

Njëra nga ndeshjet kryesore të këtij viti për Trepçën'89 pa dyshim llogaritet kjo e fundjavës, kur ballafaqohet me Prishtinën. Analistët e futbollit kosovar vlerësojnë se Trepça'89 dhe Prishtina janë dy skuadrat kryesore në luftë për titull dhe sigurisht që epilogu i kësaj ndeshjeje do të na ofrojë një pasqyrë më reale për të ardhmen e futbollit kosovar. Trepça'89 është duke i kushtuar një rëndësi të veçantë kësaj ndeshjeje, derisa tabori mitrovicas i ka thënë gazetën "Kosova Sot" se nuk do asgjë tjetër përveç fitores në atë takim. Edhe pse ditëve të fundit moti në vendin tonë është i acartë, puna në stadiumin "Riza Lushta" ka qenë me e madhe se kurrë. Djelmoshat e Gugash Maganit kanë realizuar stërvitjen e radhës në mëngjesin e së enjtes në stadiumin "Riza Lushta" në Mitrovicë për tu adaptuar kështu edhe me temperaturat e ulëta që priten të mbretërojnë edhe këtë vikend. Kështu, "minatorët" të shtunën do të udhëtojnë sërish drejt Pejës, por këtë herë jo për t'u takuar me Besën, por me Prishtinën dhe aty dëshirojnë t'i japin vulë luftës për titullin e kampionit. 

(Kosova Sot)