Ethet e Kupës

  • 02 March 2018 - 09:07
Ethet e Kupës

NË SUHAREKË PO ZHVILLOHEN GARAT E KUPËS 

Tifozët pritet të krijojnë atmosferë të jashtëzakonshme në tribuna

Nga dita e mërkurë kanë filluar garat e Kupës së Kosovës në basketboll, që do të vazhdojnë deri të dielën, kur do të zhvillohen finalet në të dyja konkurrencat. Në këtë edicion, që po zhvillohet në Suharekë, skuadrat pritet të japin maksimumin për të fituar trofeun e çmuar, derisa fituese aktuale e Kupës është Sigal Prishtina te meshkujt dhe Pro Bet Prishtina te femrat

Ethet e Kupës kanë kapluar skuadrat e basketbollit, që do të japin maksimumin për të triumfuar në Kupën e Kosovës në basketboll. Këtë edicion kjo garë po zhvillohet nga çerekfinalja me tetë skuadra apo 'Final 8', derisa organizator është qyteti i Suharekës. GoldenEagle Ylli siguroi kualifikimin në gjysmëfinale, ashtu si edhe Rahoveci, kurse mangësia më e madhe është mospjesëmarrja e Pejës, pasi ishte eliminuar nga Kalaja. Fituese aktuale e Kupës te meshkujt është Sigal Prishtina, kurse Pro Bet Prishtina te femrat. Turneu ka filluar ditën e mërkurë me ndeshjet çerekfinale dhe do të vazhdojë deri të dielën, kur do të zhvillohen dy finalet në të dyja konkurrencat. Të premten do të zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale.

Suhareka, qytet me traditë në basketboll

Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi është shprehur se risia e këtij edicioni me tetë skuadra është shumë e mirëseardhur. "Një formë e re garuese e 'Final 8', në Kupën e Kosovës në basketboll, që është risi në basketbollin e Kosovës, ishte iniciuar në sezonin 2011-2012 në Këshillin Profesional pranë FBKsë, së bashku me Prof. Dr. Masar Nixha. Megjithatë, ndodhën disa ndryshime të papritura dhe ai propozim mbeti pa u aprovuar deri më tani. Mirë është që më në fund është vendosur në këtë formë. Finalet e Kupës do të mbahen në Suharekë, një qytet me traditë, në basketbollin e Kosovës, që ofron kushte të jashtëzakonshme, dhe gatishmërinë që të ketë një organizim sa më të mirë dhe në një nivel të lartë. Gjithashtu në këto ndeshje, besoj se do të ketë mjaft shikues, dhe Suhareka do ta arsyetojë epitetin e organizatorit", është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Ylli, përveç Kupës, synon të paktën edhe "Play-off"-in në Superligë, derisa shikuesit i kanë dhënë përkrahje të madhe.

Tifozët, ndihmë e madhe për Yllin

Sipas Krasniqit, Ylli jo vetëm që siguroi gjysmëfinalen, por është edhe një kandidat serioz për trofeun e çmuar. Ai thekson se tifozët do të kenë një ndikim të madh. "Në finalen e madhe besoj se do të jetë Ylli, dhe të shikohet se kush do të jetë finalisti i dytë, ku Sigal Prishtina është fituese aktuale e Kupës. Yllin e shoh në përparësi ndaj Rahovecit, për shkak se është nikoqir dhe do të luan në palestrën e saj. Një ndikim të madh besoj se do të kenë edhe 'Gjebrailat', të cilët besoj se do të shkojnë në ndeshje në numër rekord, për ndeshjet gjysmëfinale dhe atë finale. Takimi final besoj se do të jetë shumë interesant, ku besoj se Ylli do të japë maksimumin dhe do të ketë edhe përkrahjen e tifozëve. Parashikoj një ndeshje mjaft interesante deri në fund, ku nuancat do të vendosin fituesin. Megjithatë, me rëndësi është që të zhvillohet një ndeshje e mirë dhe të triumfojë më i miri", ka theksuar tutje Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Prishtina është fituese e Kupës në dy vitet e fundit, derisa në garat e Superligës nga 20 ndeshje të zhvilluara ka shënuar po aq fitore, duke qenë skuadra e vetme pa humbje në elitë.

(Kosova Sot)