Prishtina, e pandalshme - Sport - Kosova Sot
Prishtina, e pandalshme

Prishtina, e pandalshme

SIGAL PRISHTINA SHTOI EDHE NJË TROFE NË SIRTARIN E SAJ 

Tani, bardhekaltrit duan edhe titullin e kampionit 

Sigal Prishtina të dielën fitoi Kupën në basketboll, derisa tashmë synon të mbrojë edhe titullin e kampionit. Bardhekaltrit kanë pikë maksimale, 40, nga 20 ndeshje të zhvilluara dhe janë favoritë, derisa pritet të kenë konkurrencë nga Bashkimi, që u shfaq rival i denjë në finale të Kupës

Sigal Prishtina është skuadra më e suksesshme në basketbollin vendor. Bardhekaltrit të dielën shtuan edhe një trofe të Kupës në sirtarin e tyre, apo trofeu i 13-të i Kupës, duke qenë dukshëm para skuadrave tjera me trofe. Prishtinasit triumfuan ndaj Bashkimit 77:74. Megjithatë, kryeqytetasit nuk e kanë ndërmend të ndalen, dhe tani e dëshirojnë edhe titullin e kampionit. Në Superligën e Kosovës në basketboll, Prishtina ka 20 fitore nga 20 ndeshje të zhvilluara dhe deri më tani nuk ka pësuar asnjë humbje në garat vendore. 

Angazhim maksimal

Trofeu i fundit i Kupës ishte i veçantë për prishtinasit, pasi triumfuan me 100 % vendorë, lojtarë dhe trajner, edhe pse nuk e kishin aspak lehtë përballë Bashkimit, që kishte lojtarë të huaj dhe trajner të huaj. Trajneri Andin Rashica fitoi trofeun e parë me bardhekaltrit. "Dua të falënderoj lojtarët për angazhimin maksimal. Gjithashtu dua të falënderoj të gjithë trajnerët, vendorë dhe ata ndërkombëtarë, me të cilët kam punuar deri më tani. Skuadrat kundërshtare janë gjithmonë të motivuara kur luajnë ndaj Prishtinës, megjithatë, Prishtina është dy herë më shumë e motivuar. Ne kemi luajtur me lojtarë vendorë, por që kanë përvojë shumë të madhe, dhe kjo na ka ndihmuar shumë", është shprehur Andin Rashica, i cili ka zëvendësuar në këtë edicion trajnerin turk, Ahmet Kandemir. Ndërkohë, njëri nga lojtarët më trofeshëm në Kosovë, pa dyshim është kapiteni Edmond Azemi. Ai fitoi edhe një trofe në karrierën e tij, duke shpresuar se nuk do të jetë i fundit. "Çdo trofe është i veçantë, ashtu si ky i fundit. Kemi luajtur me lojtarë vendorë dhe nuk e kemi pasur aspak lehtë. Megjithatë, ia kemi arritur qëllimit që të fitojmë Kupën, që e kemi pasur në fillim të edicionit. Prishtina luan gjithmonë për trofe, dhe pasi kemi fituar Kupën, shpresojmë të mbrojmë edhe titullin e kampionit. Nuk e di nëse do të përforcohemi me ndonjë lojtar të huaj. Kjo do të dihet më vonë, megjithatë, jam i lumtur me fitimin e këtij trofeu", theksoi Edmond Azemi. 

Nuk ishte lehtë

Garat finale të Kupës u zhvilluan në Therandë, nga dita e mërkurë deri të dielën. MVP i këtij turneu është shpallur basketbollisti i Prishtinës, Fisnik Rugova, i cili ndeshjen finale e përmbylli me 21 pikë, 12 kërcime, katër asistime dhe tre topa të vjedhur. Ai theksoi se triumfi në Kupë nuk ishte aspak i lehtë. "Nuk ka qenë lehtë, por ka qenë një ndeshje me shumë gabime. Megjithatë, në çastet vendimtare kemi qenë më të vëmendshëm dhe arritëm të fitojmë edhe një trofe. Shpresoj se do të fitojmë edhe titullin e kampionit, pasi nga fillimi i edicionit kemi synuar të mbrojmë trofetë e fituar vitin e kaluar", deklaroi pas ndeshjes finale, Fisnik Rugova, i cili udhëhoqi bardhekaltrit në finale. Njëri nga basketbollistët më të dalluar te prishtinasit në takimin final ishte Alban Veseli. Ai u shfaq si një lider i vërtetë në fushë, duke mbyllur ndeshjen me 24 pikë dhe dhjetë kërcime. "Kemi luajtur me lojtarë vendorë. Ishte dramë deri në fund, por ne jemi angazhuar maksimalisht, dhe është një trofe shumë i rëndësishëm për ne", nënvizoi Alban Veseli, derisa një ndeshje të mirë tregoi edhe Granit Rugova, duke mos iu dridhur dora në çastet vendimtare të ndeshjes.

(Kosova Sot)

5 orë e 46 minuta më parë
10/12/18