Java e 21-të solli gjithçka, përveç futbollit

  • 07 March 2018 - 08:36
Java e 21-të solli gjithçka, përveç futbollit

KAMPIONATI KA NISUR TË TENSIONOHET, ANKESAT DHE KRITIKAT PO RRITEN 

Edhe vazhdimi pritet të jetë shumë joshës dhe i nxehtë

"Xhiroja e 21-të, solli gjithçka, por vetëm futboll jo. Duke pasur parasysh terrenet e papërshtatshme për t'u zhvilluar një ndeshje cilësore, atëherë mund të priten edhe lëndimet, përleshjet mes lojtarëve e tifozëve, ndëshkime të shumta nga gjyqtari, ankime nga trajnerët etj.", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Genc Sermaxhaj

Ishte paralajmëruar si një pranverë shumë e nxehtë dhe ashtu po del. Java e 21-të e Vala Superligës ka konfirmuar se ky stinor mund të sjellë shumëçka, madje edhe gjëra që lidhje nuk kanë me futboll. Balta e madhe, cilësia nën çdo nivel, ankesat në gjyqtarë e aq më keq dhunë në tribuna e dhunë në fushë, e karakterizuan javën që sapo lamë pas në elitën e futbollit të Kosovës, derisa sipas analistëve kjo gjë ishte edhe e pritshme pasi ndeshjet u zhvilluan në kushte shumë të pafavorshme. Ish futbollisti i mirënjohur gjilanas, Genc Sermaxhaj ka thënë se java e fundit në futboll ka sjellë shumëçka përveç lojës së futbollit. "Xhiroja e 21-të, solli gjithçka, por vetëm futboll jo. Duke pasur parasysh terrenet e papërshtatshme për t'u zhvilluar një ndeshje cilësore, atëherë mund të priten edhe lëndimet, përleshjet mes lojtarëve e tifozëve, ndëshkime të shumta nga gjyqtari, ankime nga trajnerët etj.", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", ish-futbollisti i Prishtinës dhe shumë skuadrave të tjera kosovare, Genc Sermaxhaj. 

Federata gaboi!

Reshjet e mëdha të borës dhe të shiut, që e përfshinë vendin tonë në javën e kaluar, pothuajse i bënë të papërballueshme fushat tona, të cilët edhe ashtu janë tejet të dobëta. Për këtë arsye njohësit e futbollit mendojnë se ajo javë është dashur të shtyhet në mënyrë që të ruhet shëndeti i lojtarëve, pasi pikërisht balta e rënduar solli pakënaqësi edhe te lojtarët, edhe te gjyqtarët, por edhe te tifozët. "Edhe pse e dimë që kampionati duhet të përfundojë më herët dhe federata ka ngjeshur ndeshjet e kampionatit, gjithsesi them se është dashur të shtyhet për një javë për t'u ikur sadopak terreneve të përbaltura që pamundësuan zhvillimin normal të ndeshjeve", ka thënë Sermaxhaj për gazetën "Kosova Sot", sipas të cilit javët në vazhdim mund të sjellin ndeshje edhe më të forta, por edhe pakënaqësi më shumë.

Cilësia nën çdo nivel

Sipas ish-futbollistit të Dritës dhe Gjilanit, Genc Sermaxhaj, përveç baltës që po e prish imazhin e futbollit në këtë rast të pranverës, është edhe cilësia shumë e dobët që e ka zbeh mjaftueshëm këtë kampionat. Ai po shpreson se në ndeshjet në vazhdim me përmirësimin e motit, bashkë me të te përmirë- sohen edhe fushat, do të shohim futboll më të bukur. "Deri tani ekipet nuk kanë treguar futboll cilësor, madje as 10%, të asaj që kanë treguar gjatë pjesës përgatitore, sepse në këto terrene nuk vjen në shprehje aftësia teknike e futbollistëve, madje në momente as edhe ato taktike", ka thënë Sermaxhaj për gazetën "Kosova Sot", duke shpresuar se në javët e ardhshme gjithçka të përmirësohet. "Gjithsesi nga javët pasuese me rregullimin e temperaturave edhe fushat do të marrin pamje krejtësisht tjetër dhe kemi mundësi të shohim futboll më cilësor. Kampionati do vazhdojë të jetë interesant, por tani Prishtina nuk do të lejojë ndonjë gabim dhe them se deri në fund ajo do të jetë e para, ndërsa Llapi mund të mbetet pa asnjë trofe!", ka përfunduar Genc Sermaxhaj.

Balta e madhe, cilësia nën çdo nivel, ankesat në gjyqtarë, e aq më keq dhuna në tribuna dhe dhuna në fushë, e karakterizuan javën që sapo e lamë pas në elitën e futbollit të Kosovës, derisa sipas analistëve kjo gjë ishte e pritshme, pasi ndeshjet u zhvilluan në kushte shumë të pafavorshme

(Kosova Sot)