Triumfi me "100 % vendorë"

  • 07 March 2018 - 08:41
Triumfi me

BARDHEKALTRIT TRIUMFUAN NË FINALE PA ASNJË PËRFORCIM TË HUAJ 

Edhe në finale të "Play-off"-it pritet përballja Prishtina-Bashkimi 

Triumfi i Sigal Prishtinës në Kupën e Kosovës në basketboll ka krenuar shumë kryeqytetasit, pasi triumfuan me trajner dhe lojtarë vendorë, që nuk kishte ndodhur në vitet e kaluara. Ndërkohë, ish-basketbollisti i njohur, Valentin Spaqi ka theksuar se prishtinasit duhet të përforcohen me dy lojtarë të huaj, derisa titulli në fund do t'i takojë Bashkimit 

Në vitet e fundit një numër i madh i basketbollistëve dhe trajnerëve kanë ardhur në Kosovë. Megjithatë, ky edicion në basketbollin e Kosovës dallon, pasi skuadrat u përballën me krizë financiare dhe nuk kishin mundësi të përforcoheshin me të huaj. Sigal Prishtina pasi u eliminua nga garat ndërkombëtare i largoi të gjithë të huajt, derisa deri më tani është skuadra e vetme pa asnjë humbje në garat vendore, si në Superligë, ashtu edhe në Kupë. Në këtë të fundit triumfuan të dielën, duke mundur Bashkimin në finale me rezultat 77:74. Ky trofe ishte i veçantë, pasi prishtinasit u paraqitën me "100 % prodhime vendore", derisa e kundërta ishte te prizrenasit, që kanë trajner të huaj dhe lojtarë nga jashtë. 

Basketbollistët e rinj dhanë maksimumin

Ish-basketbollisti i njohur, Valentin Spaqi ka luajtur për Prishtinën dhe Bashkimin. Ai thotë se bardhekaltrit triumfuan në saje të disa lojtarëve të rinj. "Kjo është e ngjashme sikur përsëritja e edicionit 2009-2010, kur e kemi përfunduar sezonin në vendin e parë pa asnjë lojtarë të huaj. Unë mendoj se Sigal Prishtina atë natë fitoi falë disa basketbollistëve të rinj që dhanë maksimumin në fushë dhe në fund e fituan ndeshjen. Besoj se kjo e ka bërë dallimin në fushë", deklaroi Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Prishtina është 'mësuar' me Kupa, pasi ky ishte trofeu i 13-të i Kupës për bardhekaltrit, kurse prizrenasit e kanë fituar për herë të fundit në 2001, që ishte trofeu i fundit për Portokallinjtë në Kosovë. Bashkimi gjithnjë ka qenë skuadër e fortë për çdo kundërshtarë dhe ka marrë pjesë zakonisht në "Play-off", por i mungon një trofe që nga viti 2001. Shpresa e tyre është të fitojnë titullin e kampionit, pasi kanë marrë edhe përforcime të huaja, derisa Prishtina momentalisht është vetëm me vendorë.

 Ka nevojë për përforcime 

Megjithatë, Spaqi thekson se Prishtina ka nevojë për dy lojtarë të huaj në finale të "Play-off"-it, kur do të vendoset titulli i kampionit. "Unë mendoj se Prishtina ka nevojë për "Play-off" për dy lojtarë të huaj, sepse Prishtinës i mungon 'shuteri klasik', siç ka qenë Dardan Berisha në të kaluarën për këtë skuadër. Mendoj se do të përsëritet finalja ndërmjet Prishtinës dhe Bashkimit, ku kësaj radhe Bashkimi do ta fitoj titullin", është shprehur Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Skuadra e Bashkimit ka kthyer trajnerin Dragan Radoviq. Radoviq edicionin e shkuar ishte në krye të Bashkimit dhe arriti deri në finale të "play-off"-it. Ai në postin e trajnerit zëvendësoi grekun Stratos Koukoulekidis. Radoviq është trajneri i katërt te Bashkimi këtë edicion, pasi me herët ishin edhe Petar Milloviq e Fotis Takianos. Në anën tjetër Prishtinën e drejton Andin Rashica, i cili zëvendësoi në këtë post trajnerin turk, Ahmet Kandemir. 

Sigal Prishtina fitoi Kupën duke u paraqitur vetëm me vendorë, pasi të gjithë të huajt janë larguar nga skuadra bardhekaltër 

(Kosova Sot)