NBA: S’ndalen Warriors dhe Rockets, Toronto dominon në Lindje

  • 07 March 2018 - 13:39
NBA: S’ndalen Warriors dhe Rockets, Toronto dominon në Lindje

Vijon dueli në distancë për kreun e Konferencës së Perëndimit mes Houston Rockets dhe Golden State Warriors.

James Harden me shokë siguruan fitoren e 16-të radhazi në parketin e Oklahoma City Thunder me shifrat 112 – 122. Provë e shkëlqyer për Chris Paul, autor i 25 pikëve, por nuk mbetet pas edhe Harden me 23 pikë dhe 11 rikuperime. Për Thunder nuk mjaftoi paraqitja e Russell Westbrook që e mbylli takimin me 32 pikë, 7 asiste dhe 4 topa të kontrolluar poshtë koshit.

Nuk i ndahet Houstonit me vetëm një fitore më pak Golden State, me skuadrën nga Oakland që iu imponua 114 – 101 Brooklyn Nets. 5 basketbollistë të kampionëve në fuqi arritën shifra të dyfishta. Stephen Curry rezultoi më i mirë i ndeshjes me 34 pikë, ndërsa Kevin Durant shtoi edhe 19 pikë të tjera për Warriors.

Në Lindje vijon forma e shkëlqyer e skuadrës kryesuese Toronto Raptors, që i shkaktoi humbjen 45-të sezonale Atlanta Hawks, ekipit më të dobët të kësaj Konference, me rezultatin 106 – 90. Spikati në “Air Canada Center” i zakonshmi DeMar DeRozan me 25 pikë.
Konsolidon pozitën e saj në zonën play off në Lindje Philadelphia 76ers, që kaloi 114 – 128 Charlotte Hornets. Skuadrës vendase nuk i mjaftuan 30 pikët e Dwight Howard, ndërsa për 76-ers më i miri rezultoi Robert Covington me 22 pikë.

Los Angeles Clippers u mposht brenda në “Staples Center” 116-121 nga New Orleans Pelicans, që siguroi fitoren e 9-të radhazi. Protagonist absolut Anthony Davis me 41 pikë dhe 13 rikuperime, pa harruar edhe kontrobutin e Jrue Holiday, që shënoi 19 pikë dhe dha plot 17 asiste. Për kalifornianët Williams dhe Harris shënuan nga 27 pikë, por pa mundur ta shmangnin humbjen.

Vazhdon të tregojë një formë të shkëqyer edhe Portland Trail Blazers, që kaloi pa probleme New Yorl Nicks 111 – 87. I papërmbjatshëm Lillard me 37 pikë në vetëm 31 minuta lojë, raporton SS.

Dallas Mavericks fitoi 118 – 107 ndaj Denver Nuggets, falë 24 pikëve të Yogi Ferrell, ndërsa Washington Wizards triumfoi në shtesë 117 – 113 ndaj Miami Heat, me protagonist kryesor Bradley Beal që realizoi 30 pikë, përkundrejt 22 pikëve të Dwyane Wade.
 
Rezultatet e mbrëmjes:
Charlotte Hornets – Philadelphia 76ers 114-128
Toronto Raptors – Atlanta Hawks 106-90
Washington Wizards – Miami Heat 117-113 d.t.s
Oklahoma City Thunder – Houston Rockets 112-122
Dallas Mavericks – Denver Nuggets 118-107
Portland Trail Blazers – New York Knicks 111-87
Golden State Warriors – Brooklyn Nets 114-101
Los Angeles Clippers – New Orleans Pelicans 116-121


(Kosova Sot)