E pabesueshme, Milan-Inter rrezikon të mos rikuperohet

  • 07 March 2018 - 20:40
E pabesueshme, Milan-Inter rrezikon të mos rikuperohet

Pas vdekjes tragjike të Davide Astori-t, të gjitha ndeshjet e javës së 27-të të Serisë, që duhej të zhvilloheshin ditën e diel, janë shtyre. Një vendim i kuptueshëm, edhe pse në rrjetet sociale ka pasur nga ata që janë ankuar. Në ditët e kaluara janë përcaktuar datat për gjashtë nga shtatë ndeshjet e shtyra. Pesë nga to do të luhen mes 3 dhe 4 prillit, ndërsa Atalanta-Sampdoria do të luhet më 11 prill. Por nuk është gjetur akoma një datë për derbin Milan-Inter. As Malago, presidenti i CONI-t (Komiteti Olimpik Italian), i cili është edhe presidenti i përkohshëm i Lega-s së Serisë A, nuk e di se kur mund të luhet kjo ndeshje.

Në fakt, nuk mund të ketë një datë për derbin deri në momentin që nuk do të jetë e qarta rruga e Milan dhe Juventus në Europë. Kuqezinjtë luajnë në Europa League dhe nëse do të eliminojnë Arsenal-in, derbi nuk do të mund të zhvillohet as me 4 dhe as me 11 prill. Nëse kuqezinjtë shkojnë deri në finale do të kishte vetëm një datë në dispozicion, ajo e 9 majit, por kjo është edhe data e finales së Kupës së Italisë mes Juventus dhe Milan.

Vetë Malago ka thënë: “Nëse Milan arrin në finalen e Europa League dhe Juventus në atë të Champions, nuk e di se kur do të mund të rikuperohej Milan-Inter. Kjo është e vetmja hipotezë që nuk na ofron asnjë zgjidhje të mundshme, por mendoj se për futbollin italian do të ishte një lajm i mirë sepse do të kishte dy italiane në finale”.

“Ndeshja mes Milan dhe Inter është e vetmja që varet nga fati i kuqezinjve dhe bardhezinjve në Europë sepse këto dy ekipe do të ndeshen në finalen e Kupës së Italisë. Për momentin nuk mund të bëjmë gjë tjetër përveçse të presim, por unë uroj që dy skuadrat italiane të shkojnë deri në fund”.

(Kosova Sot)