“Unë jam si një plesht përpara Arsene Wenger”

  • 07 March 2018 - 20:42
“Unë jam si një plesht përpara Arsene Wenger”

Nesër rikthehet Europa League dhe sfida kryesore e këtij raundi është ajo mes Milanit dhe Arsenalit që do të luhet në “San Siro” dhe ku pritet të jenë rreth 70 mijë shikues. Skuadra londineze nuk është në formën më të mirë, por “topçinjtë” kanë një organikë më të mirë se ajo e kuqezinjve, gjë të cilën e konfirmon edhe trajneri Gennaro Gattuso. “Duhet t’i lodhim shumë në fushë dhe 70 mijë shikuesit që do të kemi nga pas duhet të kemi si mbështetje dhe jo të na trembin. Le ta shijojmë këtë ndeshje dhe të luajmë pa frikë, duke synuar vetëm fitoren”, tha Gattuso.

Trajneri italian e konsideron veten si “çunak” para një legjende si Arsene Wenger, me përvojë në arenën ndërkombëtare si trajner. “Krahasuar me Wenger jam si një plesh, si një trajner që drejton kalamajtë. Kur shtrihem në mbrëmje ëndërroj të bëhem si ai, që ka 35 vite që drejton skuadra”, u shpreh Gennaro Gattuso. “Në Europë luhet një futboll ndryshe, ndaj duhet të kemi kujdes nga Arsenali, nga kualitet që kanë. Unë jam i bindur se mund t’ia dalim mbanë”, u shpreh Gattuso.

(Kosova Sot)