Mourinho 25 – Guardiola 23

  • 16 April 2018 - 18:10
Mourinho 25 – Guardiola 23

Jose Mourinho dhe Pep Guardiola jetojnë në kundërvënie të vazhdueshme.

Trajneri i Manchester Unitedit dhe ai i Manchester Cityt mund të mos e kanë tensionin e njëjtë siç shihej gjatë kohës së tyre në stole të Real Madridit dhe Barcelonës, përkatësisht, por rivaliteti i tyre vazhdon edhe sot, gjithsesi.

Humbja tronditëse e Manchester Unitedit të dielën kundër West Bromit ia dhuroi titullin e ligës rivalit Manchester Cityt, dhe me të Guardiola tani është vetëm dy trofe larg ta barazojë Mourinhon me numrin e përgjithshëm të trofeve të fituara në karrierë si trajner.

Deficiti është dy trofe tani, por Mourinho mund ta zgjasë atë në tre përsëri nëse e fiton FA Cup, gara e vetme në të cilën është ende Unitedi. Edhe pse për të arritur në finale duhet ta mposhtë Tottenhamin të shtunën.

Megjithatë, për të dy trajnerët, një ngushëllim i vogël është fakti se ata janë në mesin e trajnerëve më të dekoruar në histori të futbollit.

Guardiola ka 23 të fituar, po aq sa edhe Giovanni Trapattoni, derisa Mourinho e ka numrin e njëjtë të trofeve si Luis Filipe Scolari (25).

Para tyre janë vetëm Scot Jock Stein (26), Valeriy Lobanovskyi (30), Mircea Lucescu (32) dhe Sir Alex Ferguson (49).


(Kosova Sot)