NBA: Oklahoma dhe San Antonio mposhten, Kemba Walker shënon 43 pikë për Charlotte

  • 20 November 2018 - 12:25
NBA: Oklahoma dhe San Antonio mposhten, Kemba Walker shënon 43 pikë për Charlotte

Boston Celtics pësuan humbjen e dytë radhazi dhe të tetën sezonale në parketin e Charlotte Hornets 117-112. Bëri gjithçka Irving, me 27 pikë dhe 11 asiste, por përballë një Kemba Walker “stratosferik” gjithçka ishte e kotë. Plot 43 pikë realizoi “ylli” i Hornets, që po kalon një moment vërtet të jashtëzakonshëm. Në “Spectrum Center” të Charlotte u zhvillua një përballje krejtësisht e ekuilibruar, por në minutat vendimtare, ato të fundit të takimit, vendësit ruajtën qetësinë, duke fituar në fund me 5 pikë diferencë.

Vijon forma e mirë e Philadelphia 76ers, që triumfoi 119-114 në shtëpi me Phoenix Suns. Spikati në këtë takim Devin Booker me 37 pikë e 8 asiste, por skuadra nga Arizona nuk arriti ta shmangte humbjen, pasi për 76ers morën më shumë vlerë 33 pikët e Joel Embiid, ndërsa Simmons shtoi edhe 19 pikë të tjera dhe kontrolloi 11 topa poshtë koshit.

Humbje e papritur në 117-114 e Oklahoma City Thunder në parketin e Sacramento Kings. Edhe pse statistikat më të mira i kishin Russell Westbrook dhe Paul George, që shënuan respektivisht 29 dhe 27 pikë, triumfoi loja në grup e Kings, të udhëhequr nga Hield e Shumpert me 25 dhe 23 pikë. Për Thunder kjo ishte disfata e 6-të në 16 takimet e para sezonale.

Sfidë spektakolare në “Smoothie King Center” mes New Orleans Pelicans dhe San Antonio Spurs, me vendësit që triumfuan me rezultatin 140-126. Katër basketbollistë të Pelicans, Davis, Holiday, Moore dhe Randle realizuan më shumë se 20 pikë secili, ndërsa për San Antonion nuk vlejtën për të arritur deri te suksesi 21 pikët e DeRozan apo 20 të Forbes.

Në takimet e tjera u arritën këto rezuatate:

Indiana Pacers-Utah Jazz 121-94, Detroid Pistons – Cleveland Cavaliers 113-112, Atlanta Hawks – Los Angeles Clippers 119-127, Milwaukee Bucks – Denver Nuggets 104-98 dhe Memphis Grizzlies-Dallas Mavericks 98-88. 

(Kosova Sot)