“Ronaldinho do të jetë gjithmonë më i miri”

  • 20 November 2018 - 12:44
“Ronaldinho do të jetë gjithmonë më i miri”

Ish-mesfushori i Barcelonës dhe Chelseat, Deco, e ka rikujtuar kohën që e kishte kaluar duke luajtur me Ronaldinhon në Camp Nou, duke insistuar se, në sytë e tij, braziliani do të mbetet gjithmonë lojtari më i mirë.

Këta të dy kishin luajtur së bashku në Katalonjë gjatë viteve 2004-2008. Gjatë këtyre viteve, ata i kishin fituar dy tituj të La Ligës dhe një titull të Ligës së Kampionëve, nën drejtimin e Frank Rijkaardit.

Braziliani njihej si një ndër futbollistët më të mirë në botë në kohën e tij, por gjatë dekadës ë fundit, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo i kanë ngritur standardet sa i përket golave të shënuar, suksesit me skuadrën, si dhe me çmime individuale.

Sulmuesi portugez i Juventusit, Ronaldo, dhe ai argjentinas i Barcelonës, Messi, i kanë fituar nga pesë Topa të Artë dhe vazhdojnë të konsiderohen si dy lojtarët më të mirë në botë, mirëpo Deco beson se Ronaldinho është më i miri.

“Nëse gjykojmë nga jashtë, është e qartë se Leo dhe Cristiano janë më të mrekullueshmit, veçanërisht pasi askush nuk mendonte se ata do ta mbanin për një kohë kaq të gjatë”, ka thënë Deco.

“Por, për mua, Ronaldinho do të jetë gjithmonë më i miri. Ne u takuam në Barcelonë dhe menjëherë u lidhëm shumë. Momentet që i përjetova me të nuk mundem t’i krahasoj me asgjë tjetër, ishin magjike”.

Ronaldinho u pensionua nga futbolli në fillim të këtij viti, duke i dhënë kështu fund një karriere të jashtëzakonshme 20-vjeçare, tri vjet pasi e kishte luajtur ndeshjen e tij të fundit si futbollist profesionist për Fluminese në ligën braziliane të futbollit. 

 

(Kosova Sot)