“Neymari bëri mëkat të tmerrshëm kur u largua nga Barcelona”

  • 20 November 2018 - 13:13
“Neymari bëri mëkat të tmerrshëm kur u largua nga Barcelona”

Ish-mesfushori legjendar, Clarence Seedorf, ka thënë se vendimi i Neymarit për t’u larguar nga Barcelona është një mëkat i madh dhe ka thënë se braziliani duhet të kthehet në Camp Nou ose të shkojë në Real Madrid për ta përmbushur potencialin e tij.

Braziliani u largua sezonin e kaluar nga Barcelona për 222 milionë euro dhe iu bashkua skuadrës së Paris Saint-Germainit. Marca ka raportuar se ylli brazilian iu ofrua Barcelonës verën që lamë pas. Por, raportohet se ai i ishte ofruar edhe Real Madridit, pasi që presidenti i klubit, Florentino Perez, është shumë i dhënë pas yllit të Paris Saint-Germainit.

Megjithatë, i gjithë ky transferim varet nga PSG-ja dhe duket se ata nuk janë të gatshëm ta shesin yllin e skuadrës së tyre. Nëse Neymari kthehet në Spanjë, atëherë Barcelona do të duhet t’i shpenzojë 222 milionë euro për të.

“Talenti i Neymarit është i padiskutueshëm, por ai ka nevojë për një skuadër që mund t’i ndihmojë atij të rritet në mënyrë që ta nxjerrë të mirën e tij sepse ai nuk mund ta arrijë asgjë i vetëm”, ka thënë Seedorf.

“Unë sinqerisht besoj se largimi i tij i shpejtë nga Barcelona ishte një mëkat i madh. Nëse ai do të kishte qëndruar aty për edhe dy vite të tjera, gjërat mund të kishin përfunduar më mirë për të. Por, tani ai është në PSG dhe kjo është rruga të cilën ai duhet ta ndjekë”.

“Neymarit i duhet edhe një trajner që mund t’ia japë atë që i nevojitet sepse ai është ende i ri dhe nuk ka qenë në Evropë për një kohë të gjatë. Ai duhet të luajë përkrah futbollistëve të tjerë, që janë po aq të mirë sa ai”.

“Nuk po flasë për futbollistë që kanë më shumë aftësi se ai, por që kanë fituar më shumë tituj se ai. Këta lojtarë mund t’i mësojnë atij për përvoja të ndryshme dhe mund ta mësojnë atë të ketë më shumë respekt”. 

 

(Kosova Sot)