“Mourinhos nuk i intereson bukuria në futboll, ai kërkon armiq”

  • 20 November 2018 - 17:39
“Mourinhos nuk i intereson bukuria në futboll, ai kërkon armiq”

Ish-mesfushori i Barcelonës dhe Interit, Thiago Motta, ka thënë se trajneri portugez i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, është duke kërkuar vazhdimisht për një armik, madje thotë se nëse ai nuk e ka një të tillë, e krijon.

Portugezi është një nga personalitetet më kontroverse në botën e futbollit dhe ka qenë kështu gjatë gjithë karrierës së tij si trajner, në Porto, Chelsea, Inter, Real Madrid e tani me Manchester Unitedin.

Mentaliteti i Mourinhos ka bërë që ai shpeshherë të arrijë ta nxjerrë më të mirën prej lojtarëve të tij, dhe Motta ishte një nga lojtarët që e di se si është të luash në një ekip që drejtohet nga portugezi, pasi që bashkë kishin kaluar një periudhë në Inter.

“Ai është një fitues. Në kokën e tij, ka vetëm një qëllim: fitoret, argëtimi nuk i intereson atij. Mourinho i ka dy anë: është i lumtur kur fiton, dhe i zemëruar kur humbë. Humori i tij varet nga rezultati”, ka thënë Motta.

“Nëse skuadra e tij luan mirë, por ai humbë, ai nuk e konsideron këtë aspak pozitive. Por, nëse fiton duke luajtur keq, atëherë ai do të jetë shumë i lumtur”.

“Mourinhos nuk i intereson bukuria në futboll, ai kërkon vazhdimisht për një armik. Nëse nuk e ka një të tillë, atëherë e krijon një vet”. 

 

(Kosova Sot)