NBA: Golden State pësojnë humbjen e 4-t radhazi, LeBron James shkëlqen për Cleveland

  • 22 November 2018 - 12:41
NBA: Golden State pësojnë humbjen e 4-t radhazi, LeBron James shkëlqen për Cleveland

LeBron James rikthehet si mbret në Quicken Loans Arena. 34-vjeçari bën ligjin dhe largohet nga Ohio me një paraqitje fantastike që i dha fitoren Los Angeles Lakers duke gëzuar tifozët e 16-herë kampionëve të NBA dhe duke hidhëruar ata të Cleveland Cavaliers që me largimin e mbretit kanë humbur edhe dëshirën për të mbështetur fuqishëm skuadrën e tyre, pasi tashmë skuadra nga Ohio ka shumë probleme.

Me 32 pikë 7 asiste dhe 14 rikuperime LeBron udhëhoqi Lakers-at drejt fitores së 10-të sezonale me shifrat 109-105, duke i shkaktuar Cleveland-it disfatën e 3-të rresht. 

Tashmë Golden State Warriors mund të konsiderohet pa frikë një skuadër zyrtarisht në krizë. Kampionët në fuqi të NBA pësuan humbjen e 4-t radhazi pasi u shkërmoqën brenda në Oracle Arena nga Oklahoma City Thunder me rezultatin e thellë 95-123.

Problemet e brendshme por edhe dëmtimet e lojtarëve me peshë si Curry, Green e Cousins po bëjnë të vetën te Golden State. Gjermani Dennis Schroder me 32 pikë ishte basketbollisti më i mirë mbi parket për Oklahomën ndërkohë që vendasve nuk u mjaftuan 54 pikët e realizuara nga dyshja Durant-Thompson nga 27 secili.

Në Konferencën e Lindjes, ligjin e bën Toronto Raptors.Skuadra kanadeze mori fitoren e 15-të sezonale pasi mposhti lehtësisht në transfertën e Georgias Atlanta Hawks 124-108, në një ndeshje ku lituanezi Valanciuanas me 24 pikë dhe kamerunasi Siakam me 22 ishin dy basketbollistët më të mirë mbi parket për skuadrën kanadeze.

Vazhdon të mos gjejë qetësi Boston Celtics. Skuadra më e titulluar e NBA po kalon një periudhë të errët pasi u mposht edhe nga një skuadër në krizë si New York Knicks brenda në TD Garden. Me shifrat 109-117 në një sfidë ku spikati Burke për miqtë me 29 pikë 11 asiste dhe 6 rikuperime, Boston pësoi humbjen e 3-të rresht.

Surpriza e vërtetë e këtij fillim sezoni është padyshim Memphis Grizzlies. Vijon momenti i artë për skuadrën nga Teneese. Falë 30 pikëve të Mike Conley-it, Memphis triumfoi brenda në Texas me rezultatin e ngushtë 104-103 ndaj San Antonio Spurs, duke ruajtur kreun në Konferencën e Perëndimit.

(Kosova Sot)