Ish-ylli i Juventusit: I humba 12 milionë euro, varfëria nuk më pengon

  • 10 December 2018 - 13:13
Ish-ylli i Juventusit: I humba 12 milionë euro, varfëria nuk më pengon

Fabian O’Neill ishte një futbollist i mrekullueshëm uruguaian, i cili me shkathtësitë e tij shkëlqeu në Serie A, si dhe ishte ylli i Kombëtares së Uruguait. Zinedine Zidane një herë kishte thënë se O’Neill ishte lojtari më i mirë me të cilin kishte luajtur. Por, tani uruguaiani jeton një jetë plotësisht ndryshe.

“Magjistari”, siç quhej ai gjatë karrierës së tij, ishte një nga yjet më të famshëm të klubit uruguaian, Nacional de Montevideo dhe pastaj la gjurmët e tij edhe në futbollin evropian. Ai u transferua në Cagliari, ku bëri 160 paraqitje dhe i shënoi 15 gola

Pastaj, në vitin 2000, ai kaloi në Juventus, klub ky i cili varej shumë nga talenti dhe aftësia teknike e këtij mesfushori. Aty, ai luajti përkrah Zinedine Zidane, i cili më vonë e cilësoi atë si lojtarin më të mirë me të cilin ka luajtur.

Paraqitjet e tij të mrekullueshme në fushë ia fituan atij statusin e një super ylli. Megjithatë, talenti i tij nuk ishte i kombinuar me sjellje të mirë dhe punë të palodhshme, por në fakt talenti i tij binte poshtë për shkak të sjelljes delikuente të tij jashtë fushës.

Sa ishte e shpejtë rritja e karrierës së tij, aq ishte edhe rënia. Në moshën 30-vjeçare, futbollisti vendosi të pensionohej dhe të kthehej në vendlindjen e tij. Tani, ai i ka humbur të gjitha paratë që i kishte fituar gjatë karrierës së tij si futbollist profesionist.

“I kisha 12 milionë euro dhe i humba ato, nuk më pengon që jam i varfër. Dua të vazhdoj kështu, nuk dua të jem afër njerëzve të pasur, kurrë nuk më ka pëlqyer një gjë e tillë”, ka thënë O’Neill për El Pais.

(Kosova Sot)