Klopp: Abuzuesit e Sterlingut duhet të ndëshkohen, ama racistët s'meritojnë të diskutohet për ta

  • 10 December 2018 - 16:54
Klopp: Abuzuesit e Sterlingut duhet të ndëshkohen, ama racistët s'meritojnë të diskutohet për ta

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, i ka ofruar mbështetje yllit të Manchester Cityt, Raheem Sterlingut, pasi që ishte bërë viktimë e abuzimit në baza racore gjatë ndeshjes kundër Chelseat në Stamford Bridge.

Sterlingu ishte protagonist pas ndeshjes së mbrëmshme kundër Chelseat, pasi që në rrjetet sociale filloi të qarkullonte një video ku shihej se gjatë ndeshjes, Sterlingu ishte abuzuar në baza racore nga tifozët e Chelseat

Për të reaguar ndaj këtij incidenti, ylli i Cityt e ka publikuar një foto të një artikulli të gazetës angleze, DailyMail, në llogarinë e tij në Instagram. Titulli i artikullit ishte: “Futbollisti i ri i Manchester Cityt, 20-vjeçar, që fiton 25 mijë funta, i shpenzon 2.25 milionë funta në një villë përkundër që nuk ka startuar në asnjë ndeshje të Premierligës”.

Sterlingu e kishte blerë këtë shtëpi për nënën e tij, ngjashëm me bashkëlojtarin e tij, Phil Fodeni. Por, përkundër Sterlingut, Fodeni, i cili i përket racës së bardhë, është lavdëruar për këtë gjest nga mediat.

Sipas Sterlingut, ky titull e portretizon atë në një dritë të keqe, duke i lënë mënjanë gjërat e mira që ai i bën. Anglezi e ka quajtur këtë gjë të papranueshme dhe ka kërkuar që gazetat t’u japin të gjithëve mundësi të barabarta, pa marrë parasysh racën.

“Unë e shikova ndeshjen dhe e pashë atë moment kur ai shkoi ta marrë topin për një korner dhe disa burra po bërtisnin. Nuk e dëgjova, nuk e di nëse ishte e mundur ta dëgjosh, por unë mendoj se reagimi i tij ishte brilant”, ka thënë Klopp.

“Ata nuk e meritojnë asnjë reagim, nuk meritojnë aspak respekt. Natyrisht, nuk jam i habitur që gjërat e tilla vazhdojnë të ndodhin dhe këto gjëra nuk do të ndalen sepse ne po flasim për to, por mua më pëlqen fakti se ne jemi duke ua drejtuar këtyre njerëzve gishtin dhe po u themi: ‘Nuk mund të bëni çfarë të doni’”.

“Duhet të ketë dënimë për gjëra të tilla. Për aq kohë sa njerëzit janë mjaftueshëm budallenj sa të bëjnë gjëra të tilla, ata duhet të ndëshkohen, kështu duhet të jetë”. 

(Kosova Sot)